Një shpërthim me eksploziv, i vendosur një ditë më parë në një biznes në Kamëz, u zbardh sot nga policia. Ngjarja lidhet me një tentativë për gjobëvënie ndaj pronarit të objektit.
Sipas hetimeve, gjoba e kërkuar ishte 500 mijë euro dhe u imponua nga Jeton Lami, Florin Domi, Flogert Mezhika dhe Ervis Lami. Kur pronari refuzoi të paguante shumën, ata vendosën eksplozivin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Dy prej autorëve janë figura të njohura për organet e drejtësisë. Jeton Lami, ish-oficer i forcave operacionale të Policisë së Shtetit, ka qenë më parë i dënuar për shpërdorim detyre.
Ai ishte personi i fundit që kishte kontaktuar me Ervis Martinajn pas lirimit të këtij të fundit nga burgu, dhe tani rishfaqet në skenën kriminale për një çështje të re gjobëvënieje.
Ndërkaq, Ervis Lami është person i kërkuar edhe përpara këtij incidenti, pasi dyshohet për përfshirje në vrasjen e postierit Lulëzim Visha.
Hetimet mbi rastin vazhdojnë, pasi ka dyshime se në këtë skemë mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë.










Discussion about this post