Në një deklaratë publike, Bardhi akuzoi kryeministrin Rama se “po përgatit grusht shteti”, duke pretenduar se ai ka “shkallmuar çdo standard demokratik të funksionimit të shtetit”, përfshirë parimin kushtetues se qeverisja duhet të bazohet në zgjedhje të lira e të ndershme.
Sipas tij, argumenti se “Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen” përdoret nga persona që nuk janë shqetësuar për ndikimin e krimit të organizuar në politikë. Bardhi tha se autoritetet kushtetuese po ushtrojnë kompetencat që u njeh ligji dhe se problem është “sistemi që ka ngritur Edi Rama”.
Duke iu referuar masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, Bardhi theksoi se ajo nuk është pezulluar nga funksioni i deputetes, pasi “ligji e ndalon këtë”, ndërsa pezullimi nga funksionet ekzekutive është qëllimi i parashikuar nga ligji.
Ai akuzoi kryeministrin Rama si “të papërgjegjshëm” dhe e cilësoi atë “bashkëfajtor në korrupsion” me Ballukun, duke theksuar se “fundi i tyre i shpejtë është i pashmangshëm”.
As kryeministria dhe as Belinda Balluku nuk kanë reaguar ende ndaj deklaratave të Bardhit.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti!
Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës “qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme”!
Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet ekzaktësisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njeh këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës që qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!
Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)!
Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme Belinda Balluku dhe as të pandehurin e afërt në kohë Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë.
Discussion about this post