SPAK ka reaguar për seancat paraprake të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thotë se nuk është njohur me aktet pasi nuk i është vënë në dispozicion dosja fizike, por vetëm një USB të cilën nuk e lexon dot pas nuk ka laptop në qeli. SPAK thotë në një reagim zyrtar se aktet ia kanë dorëzuar me USB avokatëve. SPAK thotë se “mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.”
Njoftimi i plote i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron disa rrethana procedurale të cilat lidhen me gjykimin e çështjes penale në ngarkim në ngarkim të të pandehurit Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.
Procedimi penal, nr.27 i vitit 2024 është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 10.9.2025.
Gjykata e Posaçme caktoi më 29.9.2025, seancën e parë të gjykimit paraprak. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyre 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre,duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale*.
Sa i takon prentendimeve të përsëritura të të pandehurit, Erion Veliaj, për njohjen me aktet e procedimit penal, nr. 27/2024, theksojmë faktin se Prokuroria e Posaçme ka përmbushur plotësisht detyrimet që burojnë nga neni 327/2/3 të Kodit të Procedurës Penale.
Brenda afatit të parashikuar nga neni 324 i Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësit e tij, mbi përfundimin e hetimeve paraprake. Veç përshkrimit të përmbledhur të faktit penal, për të cilin procedohet i pandehuri, Erion Veliaj është njoftuar edhe me të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre.
Në ushtrim të kesaj të drejte, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj, më datë 24.7.2025, pa asnjë shpenzim kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal, nr. 27 të vitit 2024. Ky fakt është dokumentuar me procesverbalin përkatës të datës 24.7.2025, i nënshkruar nga njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj.
Jo vetëm kaq, por më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.7.2025 deri në muajin Shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se; “më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal.”
Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe nëasnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.
Prokuroria e Posaçme vazhdon të zbatojë ligjin dhe të sigurojë një proces gjyqësor të rregullt dhe transparent.
gijotina.com/










Discussion about this post