Avokati i ri i Popullit pritet të zgjidhet përfundimisht të enjten, pas një kalvari mbi 3-vjeçar zvarritjeje, por pa gjetjen e gjuhës së përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës.
Komisioni i Ligjeve i përcolli seancës plenare 6 emrat e kandidatëve që kishin mbledhur të paktën 28 firma mbështetëse nga deputetët e opozitës. Mbledhja që u zhvillua me debate të forta nga dy palët partiake, përfundoi në votim me 9 vota pro dhe 3 kundër për dërgimin në seancë plenare.
6 kandidaturat për Avokat Populli:
Adriana Kalaja 44 firma
Aranita Brahaj 35 firma
Besim Ndregjoni 34 firma
Endrit Shabani 35 firma
Skënder Haluci 30 firma
Tartar Bazaj 28 firma
Ndërkaq, disa kandidatura janë skualifikuar për shkak se nuk kanë arritur numrin minimal të firmave ose janë dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar.
Kandidaturat e skulifikuara:
Jola Hysaj 27 firma (jo e mjaftushme edhe pse brenda afatit)
Shkëlqim Sulo brenda afatit por me 19 firma
Sajmir Vishaj, brenda afatit por me 26 firma
Dardan Mustafaj 38 firma jashtë afatit
Kjo çështje shkaktoi debat të fortë në komision, pasi opozita, një ditë pas 2 dhjetorit, që ishte afati i fundit për dorëzimin e firmave, u pendua për mbështetjen që i dha kandidatëve. Partia Demokratike kërkoi rihapjen dhe njëherë të procesit të përzgjedhjes.
Ulsi Manja tha se në dijeni për tërheqjen e firmave është vendosur kryetari i Kuvendit dhe jo komisioni, i cili është përgjegjës vetëm për mbylljen e procedurës.
Gent Strazimiri Deputet i PD: Harroni të thoni se grupi i PD ka tërhequr mbështetjen nga të gjithë kandidatët. Keni njoftim e duhet ta thoni këtë. Asnjë kandidat nuk e ka mbështetjen
Ulsi Manja Kryetar, Komisioni i Ligjeve: Tërheqja i ka shkuar kryetarit të Kuvendit, jo neve. Ai duhet ta njoftojë në seancë. Kurse ky komision do të përmbyllë procedurën. Shqyrtimi i tërheqjes së firmave i takon seancës plenare. Nëse e kthen, do bëjmë vetëm firmat e para.
Nga demokratët, Arjan Ndoja doli kundër grupit, për moralin e procesit me dhënie e tërheqje firmash.
“Nga ana morale kjo nuk është as burrërore, as etike. (Tërheqja nga firmat) Por juridikisht bie mbështetja kur tërhiqet firma. A keni vullnet politik t’ia lini opozitës këtë post? Nëse po, e rihapim procedurën për të risjellë kandidatët komfor rregullave”, tha Ndoja.
Edhe pse tha se fjalën e fundit do t’ia linte të enjten Niko Peleshit, përmes gjuhës së trupit, Ulsi Manja dha sinjale se ndoshta PS nuk do të njohë firmat e tërhequra dhe të enjten do të zgjedhë një avokat populli.
Teksa deputeti Gent Strazimiri po kërkonte rrëzimin e procesin dhe rihapjen përsëri, Manja e pyeti përse janë tërhequr nga firmat. Demokrati nuk dha një përgjigje të vlefshme duke thënë “Punë për ne”.
Manja: Je tërheq pas datës dy. Pas kësaj date …. Aman, kot për ta dit. Pse u tërhoqët?
Strazimiri: Punë për ne
Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, dhe PS nuk duket në vështirësi që një votë përtej karrigeve të saj ta gjejë mes tre deputetëve të PSD-së, apo edhe mes partive të tjera opozitare gjatë votimit të fshehtë. Ky post po mbahet përtej mandatit, nga Erinda Ballanca.
gijotina.com/










Discussion about this post