“Numri i ofertave të dorëzuara: 1 (një)”, kjo është një nga masat që ka marrë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informcacionit (AKSHI) Linda Karçanaj, për të siguruar se paratë e tenderit do të shkonin tek klienti i saj Adem Trezhnjeva. Bëhet fjalë për super tenderin për rojet e godinës. Dhe meqenëse AKSHI ka pësuar sulme kibernetike nga hakerat, tenderi është zhvilluar “sekret”, duke shfrytëzuar Ligjin nr. 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në fakt, objekti është i rëndësisë së veçantë dhe këtë e vendos qeveria, por ligji në asnjë rresht nuk e kufizon konkurrencën.

Sipas nenit të nënvizuar më sipër, në këtë tender nuk ftohet vetëm 1 operator (“miku” i drejtoreshës). Por Linda Karçanaj nuk pyet për ligjin, sidomos kur bëhet fjalë për shuma të mëdha që prokurohen.
Më konkretisht, bëhet fjalë për kontratën me fondin 231,432,944.02 Lekë pa TVSH. Objekti i marrëveshjes kuadër të nëshkruar më 17 nëntor 2025 është “Shërbimi i ruajtjes me roje private për ambientet e akshit, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) vend roje”. Kohëzgjatja e kontratës është vendosur 2 vjet, ndërkohë që duket e pakuptueshme përse nxirret “sekreti’: numri i vendrojeve jepet në njoftimin publik të kontratës.

Llogaritjet tregojnë se një vendroje do të kushtojë mesatarisht 602,690 lekë në muaj, ndërsa pagesa mujore për çdo roje arrin në rreth 200,896 lekë. Këta duhet të jenë super roje sepse paga të tilla në Shqipëri nuk hasen për këtë kategori profesioni. Po të jetë kështu, gardistët që ruajnë 50 metra më larg godinën e Kryeministrisë, do ta linin menjëherë punën dhe do të kërkonin të futeshin tek kjo kompani private.
Kjo është një nga vlerat më të larta të shpallura ndonjëherë për shërbimin e ruajtjes së sigurisë fizike me roje private.
Dhe këto lekë do të derdhen në arkën e kompanisë “Trezhnjeva”, me pronar Adem Trezhnjevën.
Adem Trezhnjeva fiton gjthmonë pa garë!
Kompania “Trezhnjeva” merr në mënyrë ekskluzive tenderat e ruajtjes së spitaleve, të godinave nënstacioneve elektrike dhe së fundmi ka marrë përsipër parqet e Tiranës.
Disa ditë përpara largimit nga posti, drejtori i OST, Skerdi Drenova e ftoi të përhershmin Trezhnjeva dhe i dha një kontratë 3-vjecare me vlerë afro 1.8 miliardë lekë.

Bëhet fjalë për tenderin e Operatori i Sistemit të Transmetimit OST me objekt: “Loti I: Shërbimi privat i sigurisë fizike për N/Stacionin Fierze, N/Stacionin Koman, N/Stacionin Vau Dejës, N/Stacionin Koplik, N/Stacionin Burrel dhe N/Stacioni Shumat, për një periudhë 3 (tre) vjeçare” me fondin limit 174 956 395,00 lekë pa TVSH.
Tenderi i mbajtur më 16 dhjetor 2024, u zhvillua me vetëm një pjesëmarrës, Adem Trezhnjevën, i cili bëri ofertën e barabartë me fondin limit. Më parë, Drenova i kishte dhënë Trezhnjevës për të ruajtur HEC Vau i Dejës, Komanin, Burrelin etj. Gjithnjë i vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është sinjali i riskut të korrupsionit!
Duke e favorizuar haptazi, në maj 2024, drejtuesja e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (krahu i djathtë i Erion Veiajt) Anisa Ruseti, i ka dhënë Adem Trezhnjevës 600 milionë lekë.
Dhe për më tepër, kur drejtoresha i jep këto fonde “me negocim pa shpallje” dhe pa garë, dyshojmë se kjo ka qenë porosi direkt e Lali Erit për t’ia dhënë këto para Trezhnjevës. Më datë 30 maj 2024, agjencia ka publikuar njoftimin e tenderit me objekt “Shërbimi i ruajtjes dhe sigurisë fizike me roje private dhe monitorimi ne distancë ”. Sipas dokumenteve do të vendoset kamerë e brendshme, kamerë e jashtme, sistem alarmi me sensor, gjithashtu do të paguhen edhe roje për 10 vende të caktuara. Kamerat do të vendoseshin tek zyrat e Agjencisë.
Më 24 korrik 2024 , Ruseti ka bërë publike kontratën e firmosur me firmën e vetme që garoi. Open Data Albania i ka dhënë tenderit “Flamurin e kuq” për mungesë konkurrence dhe risk korrupsioni për fondin e prokuruar. Brenda pazarit me Trezhnjevën ka qenë edhe tenderi tjetër i Rusetit i zhvilluar një ditë më pas (më 31 maj 2024). Ky prokurim ka si objekt “Shërbimi i ruajtjes dhe sigurisë fizike me roje private dhe monitorimi ne distancë”, me fond limit 11 983 176, 00 lekë. Tenderi është zhvilluar me procedurën “negocim pa shpallje”. Duket të ketë pasur ndonjë emergjencë drejtoresha! Por, sipas ligjit, emergjencat nuk duhet të jenë krijuar nga vetë autoritetet.
Në datën 3 qershor 2024 është shpallur fitues Trezhnjeva (në fakt vetëm ky biznesmen ishte ftuar në tavolinën e Rusetit) dhe dy ditë më pas u firmos kontrata. Edhe ky prokurim është vlerësuar me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.

Kujtojmë se drejtoresha e parqeve Ruseti ka qenë nënkryetare e bashkisë deri në gusht të vitit të kaluar, kur zëvendësoi Erinda Finon. Kjo e fundit shkoi në vend të Eglantina Zëres, që është nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat.
Kështu, nga shembujt që paraqitëm, del se Trezhnjeva është brenda bizneseve të “Rilindjes” dhe është favorizuar nga zyrtarët më të korruptuar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post