Seanca paraprake për dosjen “CEZ-DIA” dhe lobimin në SHBA ndaj Ilir Metës është shtyrë për datën 12 janar. Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit të kaluar.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se shtyrja erdhi për shkak të mospërputhjeve mes kërkesës së prokurorisë për kalimin e çështjes në gjyq dhe provave të paraqitura në dosje.
Sipas Cakranit, në aktet e dorëzuara nga prokurorët janë evidentuar prova që, sipas mbrojtjes, nuk janë të administruara fizikisht në dosje dhe nuk janë paraqitur në seancë. Ai tha se kjo situatë krijoi debat mes palëve dhe e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancës.
Dosja “CEZ-DIA” ka të bëjë me konfliktin mes kompanisë çeke CEZ dhe shoqërisë shqiptare DIA, e angazhuar për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike gjatë kohës kur CEZ operonte në Shqipëri. Pas prishjes së kontratës, çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar.
Prokuroria dyshon se zgjidhja e konfliktit në vitin 2013, përmes një marrëveshjeje mes shtetit shqiptar dhe CEZ, është shoqëruar me shkelje ligjore dhe favorizim interesash private. Në këtë kontekst, Ilir Meta akuzohet se ka pasur rol në vendimmarrje që lidhen me këtë proces, në kohën kur mbante funksione të larta shtetërore.
Pjesë e hetimit është edhe dosja e lobimit në SHBA, ku sipas SPAK dyshohet se janë përdorur shuma të mëdha parash me burime të paqarta financimi, të lidhura me përfitime politike dhe ndikim ndërkombëtar.










Discussion about this post