Është zbardhur dëshmia e drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ku ajo tregon për tenderët dhe marrëdhënien e saj me operatorët ekonomikë, duke përmendur edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Mirlinda Karçanaj deklaroi se:
“Raport miqësor nuk kam me asnjë, por për t’i njohur i njoh të gjithë, pasi janë pak dhe janë ekspertë të fushës. As nuk pi kafe dhe as nuk rri apo të shoqërohem me ndonjë operator ekonomik jashtë zyre. Ka pasur një rast ku kam takuar një operator ekonomik, të cilin e kam takuar rastësisht në zyrën e një të njohurit tim, të cilin e kisha takuar për një kafe në zyrën e tij, për shkak të një konsulence private, konkretisht në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, me të cilin kam njohje të vjetra, të cilin e kam takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Ergysi do të bënte një partneritet që donte të bënte me një kompani izraelite dhe më pyeti për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë edhe shtetasi Ermal Beqiri, i cili rezultoi në mënyrë rastësore prezent në këtë takim. Me shtetasin Ermal Beqiri mund të jem takuar vetëm një herë jashtë zyre në një ambient privat, por jemi takuar në ambientet e AKSHI-t si me çdo drejtues të kompanive private, për të mirëmenaxhuar implementimin e projekteve shtetërore. Me shtetasin Ergys Agasi mund të jem takuar disa herë në zyrën e tij, për shkak të raportit miqësor që ne kemi. Po kështu, deklaroj faktin se lidhur me njohjen time me shtetasin Ermal Beqiri, kam qenë gjithashtu në një udhëtim të përbashkët me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilat kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse së bashku dhe gjatë kohës së fushatës u kërkua nga kryeministri që të shkohej në Greqi dhe t’u kërkohej emigrantëve që të ktheheshin në atdhe, me qëllim për t’u punësuar në institucione të ndryshme dhe institucionin tonë. Në këtë event në Greqi kanë qenë të gjithë operatorët ekonomikë, pjesë të shoqatës ‘Akti’, në të cilën bën pjesë edhe shoqëria e shtetasit Ermal Beqiri. Ky event dhe prezenca e kompanive në panairin e punësimit është kërkuar nga zëvendëskryeministrja në bllokun e ekonomisë…”
Ndërsa u pyet konkretisht për bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi, shtetasja Mirlinda Karçanaj deklaroi se:
“Ka qenë një projekt që nuk kishte të bënte me shtetin, një projekt izraelit, nuk më kujtohet saktë se për çfarë bëhej fjalë, por për shkak të njohurive të mia në këtë fushë, më kërkoi mendim teknik lidhur me çështjen…”
Përsa i përket lidhjes shoqërore mes shtetasve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të raportit që ata kanë midis tyre.
Gjithashtu, shtetasja Mirlinda Karçanaj u pyet edhe për faktin nëse në bisedën e zhvilluar midis saj dhe shtetasit Ergys Agasi e kuptoi që edhe shtetasi Ermal Beqiri do të ishte pjesë e këtij projekti, pyetje së cilës ajo iu përgjigj duke deklaruar se:
“Jo, ai qëlloi thjesht aty dhe nuk mu duk sikur ai ishte pjesë e këtij projekti…”
Ndërkohë, lidhur me faktin që shtetasit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë edhe bashkëpunim financiar, konkretisht se edhe shtetasi Ergys Agasi është ortak i një shoqërie “EA Solution”, e cila ka objekt aktiviteti zhvillimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit, shtetasja Mirlinda Karçanaj u përgjigj se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti dhe se nuk ka qenë pjesë e diskutimeve asnjëherë.










Discussion about this post