Para se të merrte pushimet dimërore, në dhjetor 2025, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë mbylli disa tendera mbi infrastrukturën. Ishin rreth 9 milionë euro që u prokuruan njëherësh për disa rrugë. “Fituesit” mbetën të pashpallur deri pas Vitit të Ri. Por Anuela Ristani e kishte paracaktuar se kush do të fitonte dhe komisioni i kishte qepur letrat sipas porosisë. Një nga këto pazare lidhet me ndërtimin e rrugës prapa malit të Dajtit, në Verri. Siç do ta shohim është një fond i madh, prandaj Anuela nuk i ka lënë fituesin “rastësisë”.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, Kështu e përshkruan Open Data Albania tenderin e Anuelës.
Më konkretisht, e kemi fjalën për prokurimin e Bashkisë Tiranë me objekt “Ndërtimi i rrugës Verri – Urë”. Procedura është shënuar me “Flamur të kuq”, që sinjalizon riskun e korrupsionit.

Tenderi nis me shkelje të administrimit të financave, pasi burimi i financimit nga buxheti i Bashkisë Tiranë ishte parashikuar për vitin 2025, ndërsa kontrata lidhet në vitin 2026. Fondi Limit i përllogaritur për këtë projekt është 196 415 458,00 lekë pa TVSH.
Megjithëse data e mbajtjes së tenderit ka qenë më 10 nëntor 2025, shpallja e fituesit do të bëhej më 9 janar 2026.
Në këtë tender numri i operatorëve konkurrues të regjistruar është 25, por 10 prej tyre janë skualifikuar qysh në momentin e parë. Sidomos bie në sy eliminimi i firmave me ofertë ekonomike më të ulët se ajo fituese.
Përfitues është bashkimi i operatorëve “GLAVENICA” shpk & “LACAJ” shpk, përfaqësuar nga firma “Glavenica” me pronar Lavdimir Baraj, me ofertë 121 757 790,00 lekë pa TVSH. Por, sipas dokumentit të mëposhtëm, kishte kompani të tjera që bënë propozime më ekonomike.

Kështu, operatori ekonomik “INERTI” sh.p.k ofroi ta bënte këtë punë me 115,798,777.50 lekë pa TVSH.
Ndërsa “SHPRESA-AL” sh.p.k propozonte ofertën 121,354,695 lekë pa TVSH.
Dy standarde: Një për “Gllavenicën” dhe një tjetër për të tjerët?
Shifrat e ofruara nga operatorët e skualifikuar dhe ofertat e tjera tregojnë se fondi limit është fryrë dhe nuk është konsultuar me vlerën e tregut. Nga ana tjetër përdorimi i dy standardeve për vlerësimin e ofertave vërteton se tenderi është me fitues të paracaktuar.
Për shembull operatori ekonomik “INERTI” sh.p.k është konsideruar me çmim “Anomalisht të Ulët”, për rrjedhojë oferta është shpallur e pavlefshme.
Por sipas të njëjtit vendim qeverie, edhe oferta fituese rezulton “anomalisht e ulët”. Me makinë llogaritëse nxorëm ofertën mesatare referuar 15 ofertave të vlefshme. Nga kahasimi na rezultoi se vlera 121,757,790.00 lekë pa TVSH e kompanisë “Gllavenica” shpk ka diferencë më shumë se sa 15%. Diferenca e pranuar sipas vendimit të qeverisë në këtë rast duhet të jetë 9,068,361.6 lekë, ndërsa rezulton 14,267,634 lekë. Kjo është një indicie për audituesit e KLSH dhe hetuesit e SPAK, pasi haptazi duket që tenderi është fiktiv.
Nga ana tjetër, kompania e ka për detyrim të deklarojë kontratat e tjera publike, nëse është e angazhuar. Siç do ta shohim më poshtë, nëse Gllvenica do të verifikohej për kapacitetin teknik, do të skualifiohej, sepse i ka mjetet dhe personelin të angazhuar në tendera të tjerë njëkohësisht me këtë projekt.
Kompania që mbështet fushatat e “Rilindjes”
Operatori Ekonomik Kontraktues “GLAVENICA” shpk ka pronarë Lavdimir dhe Majlinda Baraj, ndërsa administratore është Jona Baraj. Kompania e familjes Baraj, duke qenë se favorizohet nga zyrtarët e PS-së, është e mbingarkuar me punë publike.
Kështu, 19 shtator 2025, “Glavenica” shpk ka marrë një tender 1 milion euro sërish me ofertën më të lartë. Pronarët e firmës fituese “Glavenica” Shpk me bazë në Ballsh, janë mbështetës të hapur të PS-së. Në faqen zyrtare në rrjetet sociale promovohen aktivitetet elektorale të Edi Ramës dhe të Taulant Ballës. Si shpërblim kanë marrë gjithë paratë e “Rilindjes urbane” në këtë zonë.
Dhuratë e “Rilindjes” për këtë subjekt ishte edhe tenderi i Bashkisë Korçë me objekt “Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Sotir Gurra” dhe ndërtim palestre”.

“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu është klasifikuar nga Open Data Albania tenderi i firmosur nga Sotiraq Filo. Madje procedura është qëndisur me një “Flamur të kuq”.
Ndërkohë në datën 1 shtator 2025, “GLAVENICA” shpk kishte marrë nga kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, kontratën 230 milionë lekë “Urbanizimi i qendrës Karbunarë ”.

Edhe këtë tender, familja Baraj e ka marrë me “Flamur të kuq”.
Në të njëtën kohë ka përfituar edhe tenderin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës në kodrën Kuzum Baba” me Fondin Limit 38 868 932,00 lekë pa TVSH.
Prokurimi është mbajtur më 9 shtator 2025 në zyrat e Bashkisë Vlorë dhe fituesi është shpallur më 17 tetor 2025.
Tenderi dyshohet se është ndarë me marrëveshje ku fituesi ka qenë i paracaktuar. Sipas dokumenteve, njëra nga kompanitë është tërhequr në mes të garës. Kompania e njohur “Mela” shpk nuk ka bërë ofertë megjithëse ka nisur aplikimin duke dërguar xhiron vjetore të tre viteve të fundit.
Ndërkaq, kompania “Caushi M” shpk ka bërë një ofertë thuajse të barabartë me fondin limit. Kurse kompani me eksperiencë në tendera “NIKA” shpk ka bërë ofertë “anomalisht të ulët”: 26,040,590.00 lekë pa TVSH.
Këto janë kushtet e krijuara, ku komisioni i telekomanduar nga lart, t’ia jepte tenderin kompanisë së Lavdimir Barajt që kishte ofertën më të lartë: 31,987,150.00 lekë pa TVSH. Asnjë nga këto kontrata nuk është përfunduar.
Duke qenë se janë në të njëjtën kohë, cilin projekt do të lërë pas dore kompania, Rrugën në Verri, shkollën, sheshin apo rrugën e teqesë? Fakti që kanë përqendruar gjithë këto tendera njëherësh tek një kompani modeste, tregon një koktejl me përqëndërim të lartë korrupsioni në dorën e një zyrtari të lartë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post