Prokuroria e Posaçme ka paraqitur mëngjesin e kësaj të premte provat, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019.
Në seancën që po zhvillohet në GJKKO, SPAK ka paraqitur provat shkresore për dy të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
Mësohet se prokurori i çështjes Adnan Xholi po paraqet 67 fashikuj para trupës gjykuese dhe kërkoi seancë me dyer të mbyllura duke argumentuar se ka dhëna që janë sekret hetimor dhe që nuk janë ekspozuar deri më tani.
“Procesverbalet kanë të bëjnë me zbardhjen e komunikimeve në aplikacionin Sky Ecc etj. Kërkoj të jetë një seancë me dyer të mbyllura për ruajtjen e sekretit hetimor, duke qenë se ka të dhëna që deri më tani nuk janë ekspozuar”, tha prokurori Xholi.
Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e organit të akuzës që për këtë fazë të leximit të fashikullit që përmban të dhëna sekret, të mos jenë të pranishëm përfaqësues të mediave dhe seanca vijoi pa praninë e gazetarëve.
Atentati ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, dhe u plagosën Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Në të njëjtën çështje penalë janë edhe Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.










Discussion about this post