Drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi, i pyetur sot nga gazetarët lidhur me transferimin e Kadastres në këtë qytet, deklaroi se nuk kishte dijeni për këtë vendim.
“Kur ka dalë vendimi? Sot ka dalë? Nuk e di”, u shpreh Çuçi.
I pyetur nëse do të këmbëngulë që zyra e Kadastrës të mbetet në Vlorë, për të dalë nga situata e mosinformimit, ai u fsheh pas ironisë duke deklaruar se “edhe qeveria duhet të vijë në Vlorë”.
Ndërkohë, me një firmë të vetme, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka vulosur transferimin e strukturave vendore të Kadastrës në Vlorë.
Vendimi, i cili hyn në fuqi më 1 shkurt 2026, ia heq qytetit bregdetar shërbimet e menaxhimit të pronave, duke i transferuar ato në Tiranë.
Sipas dokumentit zyrtar, ky hap justifikohet me “përmirësimin e organizimit të punës” dhe “rritjen e eficencës”. Por për qytetarët e Vlorës, kjo përkthehet në një tjetër goditje ndaj aksesit në shërbimet publike.
Në vend që të lehtësojë jetën e banorëve, vendimi i drejtueses së ASHK i detyron ata të udhëtojnë drejt kryeqytetit për çdo dokument pronësie, duke shtuar kostot dhe burokracinë.
Gjatë drejtimit të Lorena Goxhobellit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës është përfshirë në një sërë skandalesh që lidhen me abuzime me pronat publike, legalizime të paligjshme dhe korrupsion të përhapur.










Discussion about this post