Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se socialistët do të presin deri në darkë për një përgjigje në lidhje me pjesëmarrjen eopozitës në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Sipas tij opozita është jo koherente me vendimet që merr, pasi ditën e djeshme deklaroi se tërhiqet nga bojkoti i mbledhjeve, vendim nga i cili duket se është tërhequr mëngjesin e sotëm, referuar edhe deklaratës së Luçiano Boçit në Kuvend.
“Ç’thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Doli dje ky zotëria, që as nuk kuptohej pyeta Chat GPT, dhe tha u tërhoqëm nga bojkoti. Këtë haber na sollët dje. Sot jeni tërhequr.
Jeni aq kakofonikë sa për një çështje çoheni dy vetë. Jeni shpartalluar fare. Zonja dhe zotërinj të PD ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit? Këtë e keni deri në darkë, kur vjen votimi për pikën 12. Nëse na thoni do të vijmë në mbledhje, ok, nuk bëhet mbledhja me 8 se është gjysma e 16 por juve ju la pa shkollë Luli.
Nëse keni ndërmend të vini na e thoni”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi iu përgjigj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla për ndryshimet e propozuara për Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, pasi ky i fundit tha më herët gjatë fjalës së tij në Kuvend se “opozita ndryshon mendim nga mëngjesi në darkë”.
Deputeti demokrat theksoi se nuk ka pasur asnjë mbledhje të vlefshme që mund të përcaktojnë prezencën ose jo të demokratëve në këtë komision, ndërsa shtoi se socialistët nuk mund t’i ndryshojnë komisionet “sipas dëshirës e qejfit”.
“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme që ju të përcaktoni apo jo prezencën tonë. Nuk ka pasur konsultim për mbledhjen e komisionit, nuk dilni dot në konkluzion se kemi qenë apo jo në mbledhjen e komisionit. Prandaj keni nevojë për ChatGpt. Neni 24 dhe 55 i rregullores nuk flet asgjë për komisionet e posaçme dhe që ju keni të drejtë t’i ndërroni këto komisione mes rrugës sipas dëshirës e qejfit tuaj sepse doni të bëni cocomere gjithë Shqipërinë siç e keni bërë deri tani me ndarjen sipas votave politike dhe jo sipas interesit të qytetarëve. Mos bëni ultimatume, se ne jemi parti që vendimet tona i marrim vetë. Jemi autonomë.”, u shpreh Boçi.










Discussion about this post