Batërdia e plaçkitjes me veprat e mëdha publike, përveçse ne telefonat e sekuestruar nga SPAK, tashmë ka filluar të demaskohet edhe nga ndërtimet e fqinjëve. Greqia njoftoi zyrtarisht nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës moderne Janinë-Kakavija.
Kontrata për ndërtimin e rrugës 70 kilometër të gjatë, e cila do të ketë 2 korsi 3.75 metër plus një korsi emergjence 2.3 metër në çdo anë, u nënshkrua për një kosto totale prej 310 milionë euro duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Kjo do të thotë se një kilometër në autostradën Janinë-Kakavije do të kushtojë 4.4 milionë euro.

Autostrada Janine-Kakavije me kosto 4.4 milione euro per km
Ndërkohë Shqipëria sapo inauguroi rrugën famëkeqe Qukës-Qafë Pllocë. Ky segment 43 kilometër i gjatë, që ka vetëm një korsi në secilën anë, u mbyll me një kosto prej 260 milionë eurosh. Pra mesatarisht mbi 6 milionë euro për kilometër katrorë.

Rruga Qukes-Qafe Plloce me kosto 6 milione euro per km
Krahasimi mes dy rrugëve tregon se sa shtrenjtë i paguajnë veprat publike taksapaguesit shqiptarë. Në Greqi, një autostradë me 4 plus 2 korsi kushton 40 për qind më pak se sa një rrugë me 2 korsi në Shqipëri.
Megjithatë nuk mbaron me kaq. Qukës-Qafë Plloçë shfaqi dëmtime të rënda vetëm pak javë pas inaugurimit dhe do të marrë të tjera para nga buxheti i shtetit. Burime nga ministria e Infrastrukturës bëjnë të ditur se po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një tuneli për të stabilizuar një segment problematik të rrugës, që ka dalë totalisht jashtë funksionit, por momentalisht në sektorin e infrastrukturës nuk firmoset asgjë, pasi SPAK vuri nën akuzë ministren Belinda Balluku.
Por problemi i Qukës-Qafë Pllocë është aty dhe pavarësisht se kush do të jetë ministër i Infrastrukturës stabilizimi i rrugës do të kërkojë të tjera fonde të konsiderueshme, që do ta rrisin më tej koston e saj.
K krahasim tregon se sa e madhe është fatura e korrupsionit që qytetarët shqiptarë paguajnë çdo ditë për ndërtimin e veprave publike, të cilat madje shemben pa mbaruar mirë ahengu i inaugurimeve.
Athinë-Kakavijë në 4 orë e 30 minuta
Greqia nisi ndërtimin e autostradës së re Janinë-Kakavijë, e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes kryeqytetit grek dhe kufirit shqiptar. Sipas pamjeve të transmetuara nga mediat greke, kompanitë ndërtuese kanë filluar punimet e para përgatitore, të cilat përfshijnë pastrimin dhe largimin e bimësisë, si dhe punimet fillestare të dheut.
Kontrata për projektin, me kosto 310 milionë euro (përfshirë TVSH-në), u nënshkrua në dhjetor 2024 dhe, siç deklaroi së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i Infrastrukturës, Dimitris Anagnopoulos, aksi rrugor do të përfundojë afërsisht për 4 vite e gjysmë.
Aksi rrugor “Janina – Kakavia” është 70 km i gjatë dhe është vazhdim i Autostradës Jonike nga Janina deri në kufirin greko-shqiptar në zonën e Kakavisë, duke kaluar nëpër prefekturën e Janinës. Konsiderohet si boshti vertikal më perëndimor i Autostradës Egnatia dhe është pjesë e Rrjetit kryesor Trans-Evropian të Transportit të vendit. Projekti përfshin dy seksione:
1) Seksioni Janinë – Kalpaki: Ka një gjatësi totale prej 46.4 km me një shtrirje të re dhe gjashtë kalime në nivel (Kosmira, Asvestochori, Gramenochori, Pasaena, Zitsa dhe Karyo)
2) Seksioni Kalpaki – Kakavia. Përfshin 23.1 km dhe përfundon në stacionin kufitar të Kakavisë. Ka të bëjë me përmirësimin e rrugës ekzistuese.
Aksi rrugor është projektuar me një shpejtësi projektimi prej 100 km/orë dhe me një prerje tërthore që përfshin 2 korsi trafiku, 3.50 m dhe 3.75 m të gjera secila, dhe 1 korsi emergjence, 2.30 m të gjera, në secilin drejtim.
Ishulli qendror ka një gjerësi totale prej 3.15 m, duke përfshirë korsitë udhëzuese dhe barrierën e sigurisë dypalëshe (gjerësia totale e autostradës 22.25 m).
Autostrada do të lidhë Greqinë me Shqipërinë, e cila ka një volum të lartë trafiku, duke devijuar ngarkesat mbi-lokale nga Unaza e Janinës. Pasi të përfundojë, vlerësohet se udhëtimi nga Athina në kufirin shqiptar do të zgjasë afërsisht 4 orë e 30 minuta./Kapitali.al










Discussion about this post