Kjo ishte situata në hidrovorin e Vlorës më 26 janar 2026. Nga katër pompat që disponon hidrovori, vetëm njëra është aktualisht në funksion. Niveli i ujit në kanalin që derdhet drejt pompave rritet gradualisht.

Banorët e zonës kryqëzojnë gishtat teksa kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje shiu. Banesat e tyre përmbyten për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së hidrovorit.
Megjithatë dikush po merret me paratë e hidrovorit: Kryebashkiakja Brunilda Mersini dhe dy oligarkët Ardit Ismailaj e Xhavit Ismaili!
Zyrtarja është në zinxhir korrupsioni dhe duket sikur nuk e percepton rrezikun për gjithë qytetin. Kështu e pëson Vlora! Kryebashkiakja Brunilda Mersini administron pazarin afro 2 miliardë lekë të tenderit të hidrovorit, pa pyetur se situata është emergjente.

Përmbytjet në Vlorë që ndodhën 4 tetor 2024, nuk e kanë ndërgjegjësuar bashkinë. Ky qytet ka nevojë për investime në kanalizime dhe hidrovor. Kujtojmë që nga mosfunksionimi i pompave të hidrovorit u mbulua më ujë qyteti bregdetar duke shkaktuar dëme të mëdha materiale jo vetëm në infrastrukturë. Shumë familje për ditë me radhë fjetën jashtë në qiell të hapur, për shkak se pushteti vendor nuk mori masa. Ata patën dëme të mëdha në banesat e tyre.

Gjithsesi pazari i tenderit merr më shumë rëndësi se sa vetë hidrovori. Kryebashkiakja i ka fshirë me “gomë” të gjithë pjesëmarrësit dhe ka ftuar dy oligarkët të firmosin kontratën. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, me këtë përshkrim, Open Data Albania e ka shenjuar procedurën me risk korrupsioni.

Tenderi i Bashkisë Vlorë “Rikonstruksioni i Hidrovorit të Qytetit të Vlorës (Furnizim Vendosje)” është njoftuar me vonesë. Procedura ka nisur më 16 tetor 2025. Epo, kryetare e re, pazar i ri!
Për këtë projekt nga buxheti i shtetit është ndarë fondi limit 154 687 373,00 lekë pa llogaritur TVSH-në. Pra gjasat janë që kontrata të arrijë në afro 2 miliardë lekë të vjetra.
Në tenderin e datës 31 tetor 2025 morën pjesë 4 operatorë, megjithatë nuk ka pasur një garë të mirëfilltë. Për më tepër, dyshohet se ka marrëveshje të heshtur mes operatorëve që dy oligarkëve tu lirohet rruga.
Dyshimi i parë të lind nga dy ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik nga dy kompani që nuk kanë marrë pjesë fare në tender.
Nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë administruar dy denoncime në datën 24 tetor 2025. Njëri është i operatorit ekonomik “Shendelli” SHPK, ndërsa tjetri është i “NG STRUCTURES” SHPK. Të dyja kanë bërë kërkesa mbi modifikimin e dokumenteve të tenderit.

Në preventivin e miratuar për këtë objekt, rezulton se: rreth 2/3 e vlerës totale i përkasin pajisjeve dhe rreth 1/3 e vlerës përfshin punime ndërtimi ndihmëse.
Pra, pjesa më e madhe ekonomike dhe që përcakton qëllimin kryesor të investimit është furnizimi dhe vënia në punë e pompave të reja, ndërsa punimet ndërtimore kanë rol ndihmës.
Kësisoj, theksohet në këto ankimime, janë vendosur kritere të pajustifikuara për personel teknik.
Roli i KPP në këtë fazë është thjesht t’i japë kohë palëve të maturojnë pazarin e tenderit. Komisioni i Prokurimit Publik mori vendim më 7 nëntor 2025, të pranojë pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “Shendelli” SHPK, për procedurën e prokurimit. Sipas vendimit, bashkia duhet të kryente modifikimet.

Më 18 nëntor 2025, KPP u mblodh sërish dhe vendosi të lejojë bashkinë me hapat e tjerë.
Surpriza është se të dyja kompanitë që kërkuan modifikimet nuk kanë aplikuar në tender, edhe pas vendimit në favor të tyre.
Ndërkohë Kryebashkiakes Mersini dhe komisionit të saj të vlerësimit të ofertave i është lehtësuar vendimarrja edhe nga një lëvizje tjetër.

Kompania “MUHOPLUS LTD” nuk ka paraqitur asnjë dokument, duke u tërhequr në mes të procesit. Firma e mësipërme e kishte vlerën e ofertës 129,937,394.00 (njëqind e njëzet e nëntë million e nëntëqind e tridhjetë e shtatë mijë e treqind e nëntëdhjetë e katër) lekë pa TVSH.

Kurse oferta fituese e prezantuar nga bashkimi i operatorëve “VIBTIS” shpk & “ALBA KONSTRUKSION” shpk është shumë e lartë: 146,953,012.5 lekë pa TVSH.
E megjithatë, ka edhe një ofertë tjetër më ekonomike. Kështu, “RAFIN COMPANY” shpk ka propozuar t’i sjellë dhe t’i instalojë pajisjet e hidrovorit me 133,412,643.50 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e katërqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzetë e tre .5) Lekë pa TVSH.
Megjithatë, asnjë nga konkurrentët nuk ka fuqinë dhe lidhjet me qeverinë, që disponojnë pronarët e “VIBTIS” shpk dhe “ALBA KONSTRUKSION” shpk.
Ardit Ismailaj, nipi i biznesmenit Sadik Ismailaj, është administrator i firmës së ndërtimit “Vibtis” shpk. Më herët, Ismailaj ka qenë pronar i drejtëpërdrejtë i kompanisë pas një akti dhurimi nga gjyshi i tij. Aktualisht kompania është në pronësi të “perandorisë” Ismailaj Group, me pronar dhe administrator po Ardit Ismailajn.

Gjatë 5 viteve të fundit, përmes kompanisë “Vibtis”, Ardit Ismailaj ka marrë mbi 6 milionë euro para publike kryesisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, Albpetrol dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kjo “perandori” ekonomike është ngritur me themele mbi shkatërrimin e vlerave kulturore dhe turistike, mbi koncesione dhe leje ndërtimi të dyshimta. Paraja e tyre shpesh herë nuk dihet se nga e ka origjinën.
Për disa abuzime epike grupi po hetohet nga SPAK. Këtu hyjnë ndërtimi i stadiumit me kullë, koncensioni i hekurudhës Ballsh-Fier-Vlorë apo ndërtimi i një resorti turistik me një të afërm të Damian Gjiknurit brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.
Shumë përfitime të Sadik dhe Idajet Ismailajt, si hidrocentrale, puse nafte, hekurudha etj., lidhen me veprimtarinë e ish-ministrit Damian Gjiknuri.
Grupi gjendet me adresë tek kulla e stadiumi Air Albania. Vetëm Elon Musk ua kalon këtyre për pagën e madhe. Secili i ka caktuar vetes 85 milionë lekë në muaj (170 milionë lekë në muaj të dy), rreth 2 milionë euro në vit.

Kapitali i tyre shpërndahet në kompani të ndërlidhura si këmbët e oktapodit. Kështu Idajet Ismailaj është pronar i kompanisë “Motus”.
Me anë të saj kontrollohen firmat “Finman” dhe “Prodev”. Kjo e fundit më parë njihej me emrin “Mred”

Me anë të kompanisë “Finman” tërhiqen fijet tek firmat “Alb – Star”, “Vibtis”, “IR”, “Arena S&P”, “AM Rentals”, “ASAB”, “Balkansca Finman”, “ANGS”, “AOS”, “Manastiri Resort”, “Fintrade”, “APM”. Të gjitha janë përfituese të koncensioneve, tenderave, lejeve për kulla dhe resorte, në mënyrë të dyshimtë dhe në dëm të interesit publik.

Me anë të “Alb Star”, Ismailajt kanë përfituar mbi 100 milionë euro tendera publikë. Mbi 60 milionë euro i kanë përfituar vetëm nga ARRSH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërkaq, nga “Alb – Star” shpërndahen faturat tek kompanitë “ALBRAIL”, “Space+” dhe “Ecoclean”.
“Space+” ka si objekt lojërat e fatit në kategorinë kazino në hotel me 5 yje në Hotel Marriott Tirana. Ndërsa kompania “Ecoclean” posedon vendburime nafte në Patos, që i ka përfituar në mënyrë klienteliste.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, disa nga tenderat e fituar nga ky grup janë në shkelje të ligjit.
Përmes kompanisë “Alb Star” është marrë koncensioni i dyshimtë i transportit hekurudhor i linjës Fier-Ballsh-Vlorë. Këtu janë aksionerë edhe djemtë e politikanes Valentina Leskaj. Për koncesionin e hekurudhës, KLSH ka zbuluar shkelje në zbatimin e kontratës, por Ismailajt janë të paprekshëm. Në emër të “Alb Star” janë edhe disa hidrocentrale mbi lumin Shushicë (HEC Drashovicë, HEC Kote, HEC Gjorm dhe HEC Brataj).

Oleg Deripaska, i cili ka përfituar 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, u zbulua se kishte paguar ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, për ta hequr nga lista e sanksioneve të SHBA. McGonigal është i dënuar nga drejtësia amerikane, por akoma nuk është mbyllur hetimi për bashkëpunimin me kryeministrin Rama.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Albstar” rezulton të jetë një nga përfituesit kryesorë të skemës mashtruese të fryrjes së shpenzimeve dhe pastrimit të parave, duke përfituar vetëm në vitin 2011 rreth 22 milionë euro nga “Bankers”. Këto shuma janë përfituar përmes faturimeve fiktive.
Në shtator të vitit 2016, Idajet Ismailaj themeloi një kompani të re ndërtimi me familjen e tij, fillimisht të regjistruar si “Reas 16” dhe më pas me emrin “IR shpk”. Përmes kësaj kompanie, janë qarkulluar qindra mijëra euro të përfituara nga “Bankers”, duke e rritur xhiron e firmës në 6 milionë euro dhe fitimet në rreth 2 milionë euro, sërish me fatura të falsifikuara.

Prokuroria e Fierit deri tani ka dërguar në gjyq vetëm drejtuesit e “Bankers Petroleum Albania Ltd”.
Me anë të kompanisë, Arena S & P, grupi Ismailaj ndërtoi stadiumin “Air Albania”, duke marrë në kërmbim pronë publike në mes të Tiranës dhe kullën.

Po ashtu, tenderi ndërkombëtar për “projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit iu dha kompanisë “Alb-Star”, e cila prishi edhe fasadën e stadiumit “Qemal Stafa’, monument kulture.
Me anë të kompanisë “Manastiri Resort”, grupi Ismailaj është ndërtuar një kompleks vilash në Gjirin e Manastirit. Projekti i ngja një kafke betoni me vila që shëmtojnë Parkun Kombëtar të Butrintit.
Dhe prej disa vjetësh, ky gji i bukur i Ksamilit, qëndron i bllokuar për shkak të punimeve që po bëhen, për ndërtimin e fshatit turistik.

Kujtojmë se në 2 Dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Manastiri Resort”, me subjekt aplikues “Albstar” shpk, në pronësi të biznesmenit Sadik Ismailaj, i cili ka marrë edhe plazhin.
Gjatë një debati në Parlament me deputetin Agron Shehaj, ministrja Mirela Kumbaro e cilësoi resortin si një “pikë të voçkël” në hartë, që nuk i prish punë parkut.
Kompania tjetër, “Alba Konstruksion” është në letra pronë e Xhavit Ismailit, vëllait të ish-kryebashkiakut të Vorës, Fiqiri Ismaili. Nëse komisioni i tenderit do të bënte verifikime do të zbulonte se kjo kompani ndërkohë është e angazhuar në kontrata të tjera publike.

Ismaili i Vorës është një nga demokratët që i ubë klient i madhi kryeministrit. “Alba-Konstruksion” ka marrë kontrata të majme nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që drejtohet nga Dritan Agolli.
Në këtë kuadër është tenderi i programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Mirëseardhjeje për panaire dhe ekspozita si dhe një Kullë Vrojtimi në Ksamil.
“Alba Konstruksion” sh.p.k. është shpallur fituese e tenderit me vlerë 5 milionë e 591 mijë euro, përfshirë dhe TVSH-në.
Më datë 25 qershor 2024 është bërë publik emri i fituesit dhe pa asnjë pengesë Agjencia e Prokurimit Publik e ka regjistruar këtë kontratë. Theksojmë se Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e Kuq” për të treguar riskun e korrupsionit. Kjo vepër akoma nuk ka filluar.
Gjithashtu, Xhavit Ismailit i është dhënë tenderi 7 milionë euro i Parkimit nënëtokësor tek sheshi Avni Rustemi, të cilin akoma nuk e ka dorëzuar, megjithëse afati ka mbaruar.

Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Rehabilitimi i fasadave të rrugës Luigj Gurakuqi deri tek sheshi Avni Rustemi (me parkim 2 kate nën tokë)”.
Xhavit Ismaili e mori tenderin nga kryetari Erion Veliaj. Ata janë bashkëpunëtorë të vjetër. Përveçse ka fituar 4 koncesione, kompania “Alba Kontruksion”, pjesën dërrmuese të tenderave i ka marrë nga Bashkia Tiranë.
Këtu mund të përmendim rikontruksionin e Rrugës së Agallarëve, Rehabilitimi i Unazës së Mesme apo ndërtimin e pallateve tek zona “5 Maj” në kryeqytet, ku u shembën shtëpitë e banorëve gjoja për projektet e Rindërtimit pas tërmetit.
Lidhur me tenderin e parkimit tek “Avni Rustemi” ka një fakt interesant që tregon se kishte marrëveshje të heshtur se kush do ta fitonte këtë kontratë. Kështu, në tender ka marrë pjesë edhe “Fusha” SHPK për t’i dhënë larmi “ofertave”. Nga ana tjetër, oligarku i bashkisë Tiranë Shkëlqim Fusha është ortak në tendera ndryshëm të fituar më parë bashkë me Xhavit Ismailin si bashkim operatorësh.
Në vitin 2024, Ismailajt iu ngatërrua emri në një dosje të SPAK-ut, por nuk mor në përgjegjësi penale. Kujtojmë se ish-kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi u dënua me burg prej korrupsionit me të. Gjykata e Posaçme ka dënuar më 1 vit burg Luiza Mandi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Hetimi ndaj saj erdhi pas një kallëzimi të bërë nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillon një projekt zgjerimi rruge.
Gjatë përfundimit të punimeve prej kompanisë “Alba Konstruksion”, me pronar Xhavit Ismailin, denoncuesi ka konstatuar se muri rrethues nuk ishte ndërtuar në cilësinë e duhur, por ishte shtrirë edhe në sipërfaqe të tjera të tokave në pronësi të tij.
Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme ka nisur punën në terren ku ka sekuestruar projektin në fjalë dhe është konstatuar se ishte cenuar prona e familjes nga Libohova.
Gjatë zhvillimit të projektit në fjalë nuk ishte zbatuar procedura e shpronësimit, çka ka sjellë dhe dëmin ekonomik të kallëzuesi.
Urojmë që hidrovori i Vlorës të më mos ketë këtë fat, por siç ka nisur shenjat nuk janë të mira. Dy oligarkët akoma nuk ka nisur punën. Dhe pasojat bien mbi banorët që presin të vihet në funksionim objekti.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.









Discussion about this post