Kuvendi i Shqipërisë ka bërë publike analizën e zbatimit të buxhetit të institucionit për vitin 2025, ku shpenzimet për deputetët arrijnë në 200 milionë lekë.
44.2% e totalit të shpenzimeve të Kuvendit janë shpenzuar për dieta, shpenzime telefonike, karburante honorare për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe qira për deputetët që nuk jetojnë në Tiranë.
Këto shpenzime konsiderohen si përfitime financiare shtesë mbi pagën për deputetët.
Nga ana tjetër, shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit, bileta, dieta dhe akomodim i kanë kushtuar buxhetit 60 milionë lekë për vitin 2025.
Buxheti i Kuvendit ndahet në dy programet buxhetore, programi i “Veprimtarisë legjislative, diplomacisë dhe kontrollit parlamentar” dhe programi mbështetës “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”.
Sipas analizës së Kuvendit, buxheti i programit legjislativ zë peshën specifike më të madhe, përfshin shpenzimet për paga e kontribute të deputetëve dhe stafit politik; përfitimet financiare të deputetëve që burojnë nga statusi i deputetit; shpenzime të udhëtimeve jashtë shteti, organizime të konferencave, të pritje e përcjellje të delegacioneve, pagesa të përkthyesve dhe ekspertëve të jashtëm.
Pagat dhe kontributet shoqërore në buxhet shkojnë afërsisht 1.2 miliardë lekë.
“Përbërja e burimeve njerëzore është: deputetët zënë 32 % të numrit faktik për vitin 2025, stafi politik 14 %, nëpunësit civile 44% dhe punonjësit mbështetës zënë 10% të totalit të numrit faktik”, thuhet në analizë.
Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar dhjetëra milionë lekë gjatë vitit të kaluar për shpenzime operative, ku janë përfshirë:
-11 milionë lekë për pagesa honorarësh ndaj ekspertëve të jashtëm në komisione hetimore dhe të posaçme;
-16 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore;
-49 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike dhe pajisjeve të zyrave;
-14 milionë lekë për mirëmbajtjen e ambienteve të zyrave.
Ndërkohë, rreth 28 milionë lekë janë përdorur për shpenzime të tjera si faturat e ujit dhe energjisë elektrike, transporti dhe blerje kancelarie.
Paralelisht, Kuvendi ka realizuar edhe investime në teknologji dhe shërbime digjitale. Mes tyre përfshihen:
-30 milionë lekë për transkriptimin e të dhënave audio-video përmes inteligjencës artificiale;
-5.6 milionë lekë për një sistem ndërveprimi me publikun;
-1.2 milionë lekë për krijimin e aplikacionit “Kuvendi i Shqipërisë”.
Në kuadër të investimeve, janë blerë edhe dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë, si dhe pajisje dhe arredime zyrash në vlerën 23 milionë lekë. Këto përfshijnë tapete ceremoniale, ndriçues për sallat e komisioneve parlamentare dhe mobilim për zyrat e komisioneve të reja të përhershme, të cilat nisën punën në shtator 2025.
gijotina.com/










Discussion about this post