Transformimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në 5-vjeçarin e fundit është një nga shembujt më të qartë se si investimet strategjike mund të ndryshojnë jo vetëm infrastrukturën, por të gjithë sektorin e aviacionit. Në qendër të këtij transformimi qëndron Grupi Kastrati, i cili pas marrjes së koncesionit në vitin 2020, ka ndërmarrë një valë investimesh që kanë rikonfiguruar funksionimin dhe kapacitetet e aeroportit, duke ndikuar drejtpërdrejt në një rritje historike të numrit të pasagjerëve dhe duke e kurorëzuar TIA-n si aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë. Por, jo vetëm kaq, të gjitha këto investime, përmirësimi i infrastrukturës dhe zgjerimi i kapaciteteve kanë sjellë një ulje drastike të çmimeve të biletave, rritje të konkurrencës dhe shtim të destinacioneve të reja direkte nga viti në vit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2005–2016, nën menaxhimin e Hochtief Airport GmbH, investimet arritën pothuajse 87.4 milionë euro, pra rreth 8 milionë euro në vit. Në vijim, gjatë viteve 2016–2020, me Real Fortress Private Limited, investimet ranë në 17.9 milionë euro, rreth 3,6 milionë euro në vit. Ndërsa, nga viti 2020-2025, Grupi Kastrati ka investuar rreth 110 milionë euro, përafërsisht 22 milionë euro në vit, duke u fokusuar në modernizimin e infrastrukturës së aeroportit dhe rritjen e eficiencës operacionale. Ky investim erdhi në një moment kyç, kur aeroporti kishte nevojë për një vizion të ri zhvillimi, përtej modelit tradicional të menaxhimit. Ndërhyrjet përfshinë zgjerimin e terminalit, përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e flukseve në rritje, si edhe investime në proceset e digjitalizimit.
Në vijim, plani ambicioz i investimeve për periudhën 2026–2028, me një vlerë prej rreth 50 milionë euro në vit,pra 152 milionë eurosh total, e çon totalin e angazhimit të Grupit Kastrati në nivele që tejkalojnë ndjeshëm fazat e mëparshme të zhvillimit të aeroportit. Në total, krahasuar me periudhat e mëparshme koncesionare, vlera e investimeve të Grupit Kastrati përfaqëson një rritje prej rreth 249%, një tregues i qartë i intensitetit dhe ritmit të ri të zhvillimit.
Ky nivel investimesh nuk është thjesht një zgjerim fizik, por një transformim strukturor i aeroportit. Nga një infrastrukturë e kufizuar dhe e orientuar drejt një tregu relativisht të mbyllur, Aeroporti i Tiranës tashmë është kthyer në pikë referimi rajonale e fluturimeve, me kapacitete të rritura dhe standarde më të larta shërbimi.

Efektet e këtyre investimeve janë tashmë të dukshme në treg. Rritja e kapaciteteve ka krijuar hapësirë për hyrjen e operatorëve të rinj dhe zgjerimin e linjave ekzistuese, duke rritur ndjeshëm konkurrencën në tregun e fluturimeve. Kjo ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e ndjeshme të çmimeve të biletave për destinacionet kryesore europiane.
Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2019, çmimet mesatare të biletave kanë pësuar ulje të konsiderueshme, me të paktën 50%, por në disa raste uljet janë edhe më drastike. Për shembull, për destinacionet që kanë edhe frekuencë më të lartë fluturimesh siç janë ato me qytetet italiane, ku shqiptarët udhëtojnë shpesh edhe për shkak të lidhjeve të forta dhe pranisë së madhe të emigrantëve, nëse në vitin 2019 një biletë me Milanon kushtonte 250 Euro, sot çmimi I një bilete nis nga 30 euro. Akoma më lirë sot kushton Londra, një tjetër destinacion me fluturime të shpeshta nga shqiptarët. Nëse në vitin 2019, një biletë kushtonte 340 Euro, aktualisht gjen bileta edhe për vetëm 90 Euro, pra rreth 4 herë më lirë. Në ditë dhe destinacione të caktuara, biletat variojnë mes 50-70 Euro vajtje-ardhje, shifra këto të pamendura 5 vite më parë. E njëjtë gjë vlen edhe për shumë qytete e destinacione evropiane, si Brukseli, Roma, Dyseldorfi, etj., ku çmimet e biletave kanë pësuar rënie dhe fluturimet janë bërë edhe më të shpeshta, për shkak të kërkesave në rritje, si edhe zgjerimit të linjave ajrore që operojnë me këto destinacione.

Në thelb, investimet e Grupit Kastrati kanë krijuar një cikël pozitiv zhvillimi: më shumë kapacitete sjellin më shumë kompani ajrore, rritja e konkurrencës ka sjellë uljen e çmimeve dhe çmimet më të ulëta kanë rritur kërkesën. Ky mekanizëm ka bërë që aeroporti të mos jetë më një pikë e shtrenjtë hyrjeje, por një portë më e aksesueshme për qytetarët dhe bizneset, madje edhe për mijëra qytetarë nga vendet e rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e turizmit dhe lidhjeve ekonomike të Shqipërisë me rajonin dhe Europën.










Discussion about this post