GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Resortet e investitorëve strategjikë dhe kostoja e padukshme mbi burimet natyrore

08:36 - 19/04/26
në Aktualitet, Ekonomi & Sociale
Kohë leximi: 9 min
A A
Resortet e investitorëve strategjikë dhe kostoja e padukshme mbi burimet natyrore
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Në Tragjas të Vlorës, gjatë muajve të fundit ndërtimi i një ujësjellësi që synon devijimin e ujit nga burimi natyror i Izvorit drejt zonave turistike të investimeve strategjike ka prodhuar rezistencë të hapur të banorëve, të cilët kundërshtojnë një projekt të mbështetur nga institucionet si zhvillim, por që sipas tyre rrezikon furnizimin jetik me ujë dhe ndryshon në mënyrë të pakthyeshme raportin mes komunitetit dhe burimeve të tij natyrore.

“Kur një projekt për shfrytëzimin e burimeve ujore kundërshtohet nga komuniteti, kjo tregon se procedurat ligjore kanë dështuar. Në raste të tilla mungon konsultimi publik, mungon transparenca dhe vendimmarrja bëhet në mënyrë arbitrare, pa u marrë parasysh ndikimi real mbi komunitetin dhe mjedisin”, tha Niko Dumani, ambientalist, për Median Amfora.

Problemi i ujësjellësve në jug të vendit nuk lidhet me mungesën e projekteve, por me mënyrën se si burimet natyrore po përdoren për të përballuar zgjerimin e shpejtë të zonave turistike, shpesh pa një planifikim të balancuar mes nevojave të komuniteteve ekzistuese dhe kërkesave të resorteve dhe investimeve të reja.

“Uji i Tragjasit nuk është vetëm për fshatin, por për gjithë zonën, për të pirë, për bujqësinë dhe për gjelbërimin. Marrja e tij për projekte turistike rrezikon furnizimin jetik të komunitetit dhe shkatërron një ekuilibër që ka ekzistuar prej brezash”, tha Hodo Kabello, ish-banor i Tragjasit, për Median Amfora.

Uji si burim jete për komunitetin 

Në hyrje të fshatit, përgjatë aksit rrugor Vlorë – Orikum, një tabelë e mbetur nga protestat e nisura në fund të shkurtit dhe të intensifikuara gjatë marsit 2025 mban ende të shkruar mesazhin “Sot jemi një, për Tragjasin tonë”, duke e bërë të dukshme rezistencën e një komuniteti që e ka shndërruar kundërshtimin në qëndrim të përditshëm. Pamjet e shtëpive, rrugëve dhe hapësirave përreth burimit tregojnë një territor të banuar dhe funksional, ku uji lidhet drejtpërdrejt me jetën e përditshme dhe jo me një projekt në letër. Fshati ndodhet rreth 20 kilometra në jug të qytetit të Vlorës, një afërsi që e ka vendosur në vijën e parë të presionit për shfrytëzimin e burimeve natyrore në funksion të zhvillimit turistik.

Në fillim të vitit 2025, në zonë u dëgjua për herë të parë se po përgatitej ndërtimi i një ujësjellësi, një lajm që fillimisht u përhap mes banorëve përmes informacionit informal dhe u bë konkret kur në terren u panë mjetet e rënda. Shfaqja e tyre nxiti reagimin e banorëve, të cilët shprehën frikën se projekti do të sillte marrjen e ujit nga burimet natyrore të zonës dhe rrezikimin e furnizimit të tyre jetik.

Në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit në zonë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) pranon se bëhet fjalë për një projekt që ka në fokus zonat bregdetare dhe zonat që lidhen me investimet strategjike. “Projekti i furnizimit me ujë të zonave bregdetare dhe zonave të investimit strategjik Draleos–Drimadhë–Dhërmi është një investim që bëhet nga Buxheti i Shtetit nëpërmjet AKUK”, tha institucioni në një përgjigje për median Amfora. Sipas AKUK, vlera e këtij investimi është rreth 943 milionë lekë, ndërsa zbatimi i tij ka nisur në muajin shkurt 2025.

Për banorët e Tragjasit, shfaqja e projektit dhe nisja e punimeve nuk u perceptuan si zhvillim, por si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj burimit kryesor të jetesës së zonës. Frika nga marrja e ujit të Izvorit u shndërrua shpejt në reagim kolektiv, me mbledhje, peticione dhe kundërshtim të hapur në terren, ndërsa shumë prej banorëve theksojnë se nuk janë konsultuar dhe nuk janë informuar për pasojat që projekti mund të ketë mbi furnizimin e tyre me ujë, bujqësinë dhe ekuilibrin natyror të zonës.

“Sot po përballemi me një problem serioz, sepse po kërkohet që uji i Tragjasit të merret për t’u çuar drejt zonave turistike në jug. Kjo ka ngritur të gjithë fshatin në këmbë, sepse nuk ka asnjë kuptim që t’i hiqet uji një komuniteti për t’ia dhënë interesave që synojnë përfitim ekonomik”, tha Hodo Kabello, ish-banor i Tragjasit, për Median Amfora.

Në lidhje me përfituesit e projektit, AKUK sqaron se investimi synon të furnizojë me ujë zonat turistike bregdetare. “Përfituesit e realizimit të këtij investimi do të jenë fshatrat Palasë, Gjilekë, Kondraq dhe Dhërmi si dhe gjithë zonën turistike bregdetare”, tha institucioni në përgjigjen për median Amfora.

Për banorët e Tragjasit, një pjesë e të cilëve janë kthyer nga emigrimi për të vazhduar jetën në vendin e tyre, uji nuk është vetëm burim natyror, por kusht bazë për të qëndruar, për të punuar tokën dhe për të parë një perspektivë në zonë. Ata e lidhin drejtpërdrejt marrjen e ujit me rrezikun e braktisjes së fshatit dhe humbjen e çdo shprese për zhvillim lokal.

“Kam jetuar dhe punuar për shumë vite në emigrim dhe u ktheva për të ndërtuar jetën këtu. Këto burime uji kanë mbajtur gjithmonë fshatin gjallë, për bujqësinë, për bagëtinë dhe për jetesën. Nëse na merret uji, këtu nuk ka më asnjë mundësi për të qëndruar”, tha Emiljano Daupi, banor i Tragjasit, për Median Amfora.

Fjala e banorëve e zhvendos debatin nga një çështje infrastrukturore në një problem ekzistence, ku uji nuk përfaqëson thjesht një burim natyror, por bazën e jetesës, të qëndrimit në zonë dhe të çdo perspektive zhvillimi lokal.

“Uji i Izvorit ka qenë gjithmonë jeta e këtij fshati. Me këtë ujë janë vaditur tokat, janë mbajtur familjet dhe është ruajtur gjelbërimi. Nëse na hiqet ky burim, na hiqet arsyeja për të jetuar këtu”, tha Perlat Baco, një tjetër banor i Tragjasit.

Burimi i Izvorit përfaqëson një sistem natyror ujor me rëndësi të veçantë për zonën e Tragjasit dhe më gjerë, jo vetëm si pikë furnizimi me ujë, por si pjesë e një ekuilibri ekologjik të ndërtuar ndër vite. Uji që del nga Izvori ushqen tokat bujqësore përreth, gjelbërimin natyror dhe rrjedhjen që përshkon territorin deri në dalje në det, duke krijuar një peizazh funksional dhe të gjallë. Prania e vazhdueshme e ujit ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e fshatit, në përdorimin e tokës dhe në ruajtjen e klimës lokale, elementë që e bëjnë burimin të konsiderohet si potencial natyror, ekonomik dhe turistik, e jo thjesht si rezervë teknike për t’u devijuar.

Qëndrimi i AKUK shpjegon arsyen pse uji i Izvorit konsiderohet si zgjidhje për mungesën e burimeve ujore në zonat turistike bregdetare. “Zona Palasë – Dhërmi është zonë e varfër me burime ujore”, sqaroi institucioni, duke theksuar se aktualisht ekzistojnë dy sisteme ujësjellësi ku në total përfitohen maksimalisht 30 litra në sekondë prurje, e cila në periudhën e thatë të verës reduktohet deri në 5 litra në sekondë. “Kjo sasi është e pamjaftueshme për të furnizuar zonën me zhvillim shumë të avancuar turistik”, shtoi AKUK.

Banorët e Tragjasit kundërshtojnë projektin jo vetëm për shkak të destinacionit të ujit, por sepse marrja e tij nga burimi i Izvorit prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të fshatit. Sipas tyre, çdo ndërhyrje në prurje rrezikon të ulë ndjeshëm sasinë e ujit që përdoret aktualisht. Frika kryesore lidhet me faktin se, në një zonë ku furnizimi me ujë është i pasigurt dhe shpesh i zëvendësuar me puse, marrja e ujit nga burimi kryesor mund ta bëjë të pamundur jetesën dhe të shtyjë banorët drejt largimit.

“Këto burime shumë vite më parë kanë qenë trefishi i asaj që shohim sot. Pas viteve ’90 prurjet kanë ardhur në rënie dhe sot uji nuk është më si dikur. Askush nuk është në gjendje të parashikojë dëmin që mund të shkaktojë marrja e ujit nga ky burim”, tha Emiljano Daupi.

Shqetësimi për rënien e prurjeve nuk mbetet vetëm në perceptimin afatgjatë të banorëve, por shoqërohet edhe me përpjekje konkrete për të matur sasinë e ujit që rrjedh aktualisht nga burimi.

“Ne kemi bërë vetë matje të ujit dhe prurja sot nuk shkon më shumë se 700 litra në sekondë. Ndërkohë në dokumente paraqiten shifra shumë më të larta. Nëse merret kjo sasi uji, Tragjasi dhe zonat përreth mbeten pa ujë”, tha Perlat Baco.

Por, sipas AKUK, ujësjellësi është projektuar me një perspektivë zhvillimi 25-vjeçare dhe parashikohet të furnizojë rreth 50 mijë banorë dhe se Izvori ka prurje të mëdha që mjaftojnë jo vetëm për furnizimin me ujë të fshatit Tragjas dhe zonës bregdetare të Radhimës, por edhe për përdorim në bujqësi nga banorët e zonës, ndërsa aktualisht një pjesë e konsiderueshme e këtyre ujërave nuk përdoret dhe derdhet në det.

Sipas banorëve projekti i ujësjellësit është ndërtuar për të devijuar ujin e Izvorit drejt zonave turistike bregdetare, pa pasur si prioritet nevojat e komunitetit lokal. “Ky ujësjellës nuk bëhet për Tragjasin, por për të çuar ujin në Palasë dhe Dhërmi, për resortet dhe zhvillimin turistik atje”, tha Perlat Baco.

Ky perceptim i banorëve lidhet edhe me mënyrën se si projekti është avancuar, pasi ata thonë se nuk janë përfshirë në asnjë proces konsultimi dhe janë vënë përpara një vendimmarrjeje të marrë pa pjesëmarrjen e tyre.

“Banorët nuk janë pyetur dhe janë vënë përpara faktit të kryer, ndërkohë që ligji kërkon konsultim publik dhe marrjen e mendimit të komunitetit përpara se të miratohet një projekt i tillë”, tha Niko Dumani, ambientalist në Vlorë.

Përtej pasojave sociale, kundërshtimi i projektit lidhet edhe me ndikimin që marrja e ujit nga burimi i Izvorit mund të ketë mbi mjedisin dhe ekuilibrin natyror të zonës një dimension që sipas ekspertëve nuk është trajtuar në mënyrë të plotë.

“Burimi i Izvorit nuk është thjesht një rezervë teknike uji, por pjesë e një sistemi natyror që ndikon në klimën lokale, në peizazhin dhe në funksionimin ekologjik të gjithë zonës. Çdo ndërhyrje që ul prurjet rrezikon të ndryshojë këtë ekuilibër, të dëmtojë gjelbërimin, tokat bujqësore dhe rrjedhjen natyrore të ujit”, shtoi Dumani.

Sipas banorëve, Izvori nuk është vetëm burim uji, por një pasuri natyrore që ka krijuar ndër vite peizazhin, gjelbërimin dhe klimën e zonës, duke e bërë fshatin funksional dhe të jetueshëm, ndaj çdo ndërhyrje në rrjedhën e tij rrezikon të dëmtojë këtë ekosistem të ndërtuar nga vetë natyra.

“Nëse merret uji, kjo zonë rrezikon të degradojë dhe të humbasë ekuilibrin natyror që ka pasur ndër vite”, tha Emiljano Daupi.

Ndërsa synohet që uji i Izvorit të devijohet për të furnizuar zonat e investimeve strategjike, banorët theksojnë se furnizimi me ujë në Tragjas nuk garantohet nga sistemi publik, por sigurohet kryesisht përmes puseve individuale të hapura nga vetë familjet. “Fshati nuk furnizohet normalisht me ujë. Shumica e familjeve janë detyruar të hapin puse për të siguruar ujin për jetesë dhe bujqësi”, tha Perlat Baco.

Në lidhje me ndikimin në mjedis, AKUK sqaron se në lejen e përdorimit të burimit ujor është përcaktuar një prurje ekologjike prej 186 litrash në sekondë, e cila, sipas institucionit, do të mbetet gjithmonë në rrjedhje të lirë lumore për t’i shërbyer ekosistemit dhe për të shmangur shqetësimet mjedisore.

Ndërsa kundërshtojnë marrjen e ujit nga burimi i Izvorit, banorët theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë që zgjidhjet të mos cenojnë burimin jetik të komunitetit. “Ne nuk kemi thënë që uji të mos shkojë fare, por të merret vetëm ajo pjesë që nuk përdoret nga fshati dhe të mos preket burimi këtu lart”, tha Perlat Baco.

Bimësia e dendur dhe gjallëria ujore në burimin e Izvorit, Tragjas – Vlorë. Foto. Media Amfora

Këtë qëndrim e mbështet edhe ambientalisti Niko Dumani, sipas të cilit komuniteti ka ofruar alternativa më të qëndrueshme. “Banorët kanë dhënë zgjidhje racionale, duke kërkuar që të shfrytëzohet vetëm teprica e ujit dhe të respektohet ekuilibri mjedisor, por këto alternativa nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet”, tha Dumani.

Zhvillimi turistik përballë konfliktit me burimet natyrore 

Në kushtet kur banorët kundërshtojnë projektin dhe shprehen të vendosur për ta mbrojtur burimin e Izvorit me çdo pasojë, ambientalistët theksojnë se janë shkelur parimet bazë të konsultimit publik dhe të mbrojtjes së burimeve natyrore, pushteti vendor pozicionohet jashtë procesit vendimmarrës, duke ia atribuar përgjegjësinë institucioneve qendrore.

Në përgjigjet zyrtare për median Amfora, Bashkia e Vlorës dhe Bashkia e Himarës sqarojnë se projekti i ujësjellësit nuk është në kompetencë të tyre dhe se nuk janë autoritete miratuese apo zbatuese të tij. Sipas tyre, vendimmarrja për shfrytëzimin e burimeve ujore dhe realizimin e investimit i takon institucioneve qendrore, ndërsa roli i tyre kufizohet në administrimin vendor të territorit.

Kjo mënyrë pozicionimi e lë konfliktin mes banorëve dhe projektit pa një adresë të qartë përgjegjësie në nivel lokal, duke thelluar ndjesinë e përjashtimit të komunitetit nga procesi vendimmarrës.

Kundërshtimi i banorëve të Tragjasit nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një serie konfliktesh që po shoqërojnë shfrytëzimin e burimeve ujore në jug të vendit. Vitet e fundit, përplasje të ngjashme janë shfaqur edhe në zona të tjera, ku komunitetet lokale janë përballur me projekte ujësjellësish dhe ndërhyrje në burime natyrore, të cilat janë perceptuar si kërcënim për jetesën, mjedisin dhe të ardhmen e territoreve të tyre.

Këtë paralelizëm e thekson edhe ambientalisti Niko Dumani, duke iu referuar një rasti tjetër të kundërshtuar nga komuniteti. “Edhe në rastin e Shushicës kemi parë të njëjtën situatë, ku burimet ujore janë shfrytëzuar për interesa të veçanta pa konsultim real me banorët. Sa herë që kemi kundërshtim të fortë nga komuniteti, kjo tregon se procedurat ligjore dhe mjedisore kanë dështuar dhe se vendimmarrja është shkëputur nga territori”, përfundoi Dumani. /Faktoje.al

Etiketa: kostonatyreresorte

Lajme të lidhura

Berisha takohet me studentë të huaj: Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin në BE
Aktualitet

Berisha takohet me studentë të huaj: Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin në BE

11:55 - 19/04/26
“Rregulli është i thjeshtë”/ Marta Kos kundër iniciativës Rama-Vuçiç: Nuk mund të jesh pjesë e BE-së pa përmbushur kriteret
Aktualitet

“Rregulli është i thjeshtë”/ Marta Kos kundër iniciativës Rama-Vuçiç: Nuk mund të jesh pjesë e BE-së pa përmbushur kriteret

11:24 - 19/04/26
Rama shfaqet si avokat i Armand Lilos: Zjarri në pallat nuk ka lidhje me ndërtimin
Aktualitet

Rama shfaqet si avokat i Armand Lilos: Zjarri në pallat nuk ka lidhje me ndërtimin

11:15 - 19/04/26
Para
“E keni të kotë”/ Presidenti bullgar: Mos na vini ultimatume për veton ndaj RMV

Bullgaria mban zgjedhjet parlamentare, sondazhet nxjerrin favorit ish-presidentin pro rus

Discussion about this post

TË FUNDIT

Berisha takohet me studentë të huaj: Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin në BE
Aktualitet

Berisha takohet me studentë të huaj: Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin në BE

11:55 - 19/04/26

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi një takim me studentë të shkollës franceze, Sciences Po, ku në...

Lexo më shumë
“Rregulli është i thjeshtë”/ Marta Kos kundër iniciativës Rama-Vuçiç: Nuk mund të jesh pjesë e BE-së pa përmbushur kriteret

“Rregulli është i thjeshtë”/ Marta Kos kundër iniciativës Rama-Vuçiç: Nuk mund të jesh pjesë e BE-së pa përmbushur kriteret

11:24 - 19/04/26
Futbolli për të gjithë: FSHF mirëpret zhvillimin e Turneut të Unifikuar të Futbollit

Futbolli për të gjithë: FSHF mirëpret zhvillimin e Turneut të Unifikuar të Futbollit

11:22 - 19/04/26
Rama shfaqet si avokat i Armand Lilos: Zjarri në pallat nuk ka lidhje me ndërtimin

Rama shfaqet si avokat i Armand Lilos: Zjarri në pallat nuk ka lidhje me ndërtimin

11:15 - 19/04/26
Mbante kokainë në dyqan për ta shitur, arrestohet 28-vjeçari në Shkodër (Emri)

Ushtronin prostitucion në apartamente me qira, arrestohen 3 shtetase të huaja

10:51 - 19/04/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com