Tre shqiptarë me banim në Mantovë u arrestuan të martën, më 21 prill, për trafik droge nga policia italiane e Trevizos dhe Mantovës, në një operacion të koordinuar nga Prokuroria e Trevizos.
Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 150 kilogramë kokainë. I pari që u arrestua, në zonën e Trevizos, ishte një 48-vjeçar shqiptar, në automjetin e të cilit u gjetën 20 kilogramë kokainë dhe rreth gjysmë kilogrami kanabis, të fshehura në një ndarje që hapej me mekanizëm elektromagnetik poshtë sediljeve të përparme.
Hetimet e agjentëve, të cilët kishin ndjekur aktivitetin e shitjes së drogës, çuan më pas në identifikimin dhe gjurmimin e dy personave të tjerë, banorë të Mantovës. Kontrolli në banesat e S. E., 31 vjeç, dhe K. M., 34 vjeç, të dy shqiptarë, zbuloi nën shtratin e 31-vjeçarit edhe 122 pako të tjera me kokainë, duke e çuar sasinë totale në rreth 150 kilogramë. Gjithashtu u sekuestruan rreth 55 mijë euro para në cash.
Policia kontrolloi edhe automjetet e dy të arrestuarve, ku konstatoi se të dy kishin ndarje të posaçme të fshehta për transportimin e drogës.
Arrestimet në Mantovë lidhen me një hetim të mëparshëm, i cili çoi më 3 prill në arrestimin e një shtetasi me inicialet D. A. pranë stacionit të trenit San Trovaso di Preganziol, në Treviso. Në bagazhin e makinës së tij u gjetën gjashtë pako me rreth 7 kilogramë kokainë. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim në burgun e Trevisos.










Discussion about this post