A e dini pse rrugët dhe oborret e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUNT) mbeten shumicën e kohës të papastra dhe koshat kutërbojnë? Përgjigjen e zbuluam nga verifikimi i dokumenteve të tenderit të pastrimit. Gjithçka nis tek përcaktimi i kërkesave mbi kapacitetin teknik të firmës. Që kompania e kontratuar të fitojë sa më shumë, drejtoria, përmes njësisë prokurimit, vendos si kriter një minimum të vogël mjetesh dhe po ashtu, personel të pakët.
Minimumi i mjeteve të kërkuara për fituesin e tenderit është 2 mjete për evadimin e mbetjeve, ose 1 për turn. Me kaq mjete, turni i tretë mbetet bosh, ndërsa në fundjavë i bie që një ditë të mbetet e pambuluar me mjete teknologjike.

Sipas procesverbalit të kritereve për kualifikim të tenderit, operatori ekonomik, duhet të disponojë minimalisht 2 mjete teknologjike transportuese të mbetjeve urbane, me kapacitet 5 ton. Imagjinojeni sa kohë i duhet të vijë rreth e rrotull spitalit dhe sa rrugë do të bëjë për tek landfilli i Sharrës një kamion gjatë turnit. Mbetjet krijohen gjatë gjithë kohës, ndërkohë që marrëveshja e zyrtarëve të tenderit vendos edhe një numër minimal për personelin.

Janë 12 punonjës pastrimi që ndahen në 6 veta për dy turne. Ndërsa për turnin e tretë nuk ka mbulim të shërbimit. Në fundjavë, kur kryhet pushimi javor dhe për ditë festash, pastrimi në këto dy turne reduktohet me 3 punonjës.
Nuk ka nevojë për formula shkencore apo studime se sa kilogramë mbetje krijohen, sa kohë duhet për t’i mbledhur dhe sistemuar, transportuar brenda spitalit dhe evaduar tek landfilli.
Janë 6 zona pastrimi, që mbulohen nga 6 veta. Punëtorët e turnit të parë duhet të merren me zbrasjen dhe pastrimin e koshave me rrotullim, pastrimin e hyrjeve kryesore si dhe sheshet e godinave spitalore sipas zonave përkatëse dhe më tej me pastrimin e segmenteve rrugore, trotuareve dhe hapësirat e parkimit. Punëtorët e turnit të dytë, primar duhet te kenë në fokus pastrimin e zonave të parkimit.
Sipas një “vlere orientuese”, që e kanë vendosur vetë zyrtarët e tenderit, në QSUNT krijohen 2520 kg mbetje në ditë. Kjo vlerë na duket mjaft e vogël. Jemi të bindur se shifra është vendosur minimale me qëllim për të ndihmuar kompaninë private që të justifikojë mbajtjen e kapaciteteve sa më të vogla. Megjithatë, duke e marrë të mirëqenë këtë sasi mbetjesh, një punonjësi në turn i bie të përpunojë afro 250 kg mbetje. Dicka e pamundur fizikisht. Makinat sipas rregullit të vendosur para tenderit duhet të shkojnë 2-4 herë në ditë në landfill. Pra, kërkohet një intensitet i lartë pune me një numër të vogël punonjësish dhe mjetesh!
Aryseja tjetër pse QSUNT është vazhdimihst një territor i papastër, është se i njëjti operator që e kishte këtë kontratë dy vitet e kaluara, favorizohet të fitojë sërish.
Por, kush na qenka njeriu për të cilin janë qepur kriteret, që po fiton në kurriz të shërbimit të pastrimit? Ky quhet Fiqiri Allmuça, pronar de facto i firmës “Pastrime Silvio” shpk.

Ai është i favorizuar nga zyrtarët e korruptuar të Spitalit dhe të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Ky i fundit organizon tenderat e Shëndetësisë qysh pas emërimit të Blendi Gonxhes si ministër i Ekonomisë.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me objekt “SHËRBIM I PASTRIMIT TË AMBIENTEVE TË JASHTME NË QENDRËN SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA, TIRANË”.
Fondi limit për këtë projekt është 382,5 milionë lekë dhe krahasuar me vitin e kaluar, vlera e kësaj kontrate është rritur me 2.5 milionë lekë.
Në tenderin e mbajtur më 18 mars 2026, kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomik, por duket se kompania “Pastrime Silvio” SHPK e kishte prenotuar këtë kontratë. Prandaj shpallja fitues më 7 prill 2026 ishte thjesht një formalitet shkresash.

Për riskun e korrupsionit që mbart kjo procedurë, Open Data Albania i ka valëvitur një “Flamur të kuq”.
Por nuk ka asnjë sinjal që t’i prapësojë zyrtarët, që e lanë menduar planin për dy vjet, ndërkohë që mbeteshin të kënaqur me “shërbimet” e Fiqiri Allmuçës.
Sic vërtetohet edhe më formularin e shpalljes së fituesit, oferta e “Pastrime Silvio” shpk nuk ishte as më e ulëta, as më ekonomikja.

. Megjithëse me një ofertë 24 milionë lekë më të lartë se kompania tjetër e skualifikuar, “Pastrime Silvio” shpk do të ftohej për hapat e tjerë të sigurimit të kontratës.

Korrupsioni ia ka zënë sytë edhe drejtoreshës së re, Anxhela Paparizo, që të mos shohë situatën e plehrave që rrethojën pavijonet?
Kjo foto është shkrepur në QSUNT më 5 korrik 2025.

Situatë alarmante! Gjendja vazhdon e njëjtë edhe në shkurt 2026 kur celej ky tender pastrimi.
Drejtoresha Paparizo mund të justifikohet se Fiqiri Allmuçën e gjeti aty nga paraardhësit. Po, kështu është!
Në vitin 2023, drejtoresha Albana Fico në ikje thirri firmën “PASTRIME SILVIO” SHPK, të Fiqiri Allmuçës, të mbante “pastërtinë” në oborret dhe lulishtet e QSUNT. Në fakt, tenderi me objekt “Shërbim pastrimi i ambienteve të jashtme”, për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i është dhuruar firmës së Allmuçës.
Në atë kohë, 7 kompani janë skualifikuar nga kjo garë vetëm që fituesi të ishte “Pastrime Silvio” Sh.p.k, madje ndër to edhe oferta më të ulëta.

Fiqiri Allmuça, ka qenë i proceduar penalisht për konsumimin e veprës penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” në vitin 2008. Dy punëtorë të firmës së tij u plagosën teksa po pastronin xhamat e një banke në Tiranë.

Pas kësaj, Fiqiri Allmuça ia kaloi kompaninë “Pastrime Silvio” bashkëshortes së tij, Bule Allmuça.
Fiqiri Allmuça ka marrë edhe tenderin me vlerë 1.2 milionë USD për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Sheshit ‘Skënderbeu’, bashkë me oligarkun Shkëlqim Fusha, me firmën e Erion Veliajt.
22 tenderë kompania e Fiqiri Allmuçës i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtorët e saj të korruptuar, për shërbim pastrimi, dezinfektim dhe transport mbeturinash, kryesisht tenderë me paracaktim dhe flamur të kuq. Një tender 1 milionë USD, aq sa fondi limit, Allmuça e ka marrë nga drejtoresha Brunilda Çami për largimin e mbetjeve të Spitalit të Shkodrës.
Ndërsa drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo nuk është aq e re në detyrë, sepse po mbushen 10 muaj qysh nga emërimi i saj. Prandaj nuk habitemi që Allmuça ia gjeti telat edhe drejtueses aktuale të QSUNT dhe ajo u mçsua me panoramën e përditshme të mbetjeve.
gijotina.com/









Discussion about this post