Një rast i fshehur prej shumë vitesh dhe i dalë në dritë vetëm së fundmi po bën bujë. Bëhet fjalë për Sokol Hoxhajn, i cili akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos në vitin e mbrapshtë 1997 (muaji mars) dhe të një gruaje shqiptare në gusht të të njëjtit vit.
Aktualisht në ngarkim të tij është vënë një dënim prej 25 vitesh nga gjykatat e vendit tonë, teksa edhe Belgjika e kërkon për të vuajtur dënimin e vrasjes së Brunilda Dervishit.
Pasi kreu vrasjen e dyfishtë në vendin e tij të lindjes, Hoxha u arratis, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë.
Sipas hetimeve shumëvjeçare të agjencive më të mëdha të zbatimit të ligjit në Europë dhe jo vetëm, aktiviteti kryesor i Sokol Hoxhës në Belgjikë ka qenë prostitucioni.
Madje edhe vrasja e kryer në këtë vend lidhet ngushtë me këtë aktivitet gjithashtu të paligjshëm.
Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel.
Dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.
Sipas hetimeve, raportohet se pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha u transferua në Britaninë e Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, siç shumë shqiptarë bënin në atë periudhë, duke përfituar nga lufta e Kosovës. Përmes këtyre dokumenteve false ai ka arritur të sigurojë leje qëndrimi në Britani.
Por frika ishte ende ekzistente se mund të zbulohej dhe ai dysohet se mori vendimin për t’u transferuar përtej Atalantikut, në SHBA në fillim të viteve 2000.
Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë.

Pas më shumë se dy dekadash, agjencitë hetimore shqiptare morën indicie se vendodhja e Hoxhës ishte në SHBA, pasi agjenci ligjzbatuese amerikane, belge, britanike, kosovare u angazhuan për të shkëmbyer informacione mbi këtë kriminel.
Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë bëri lëvizjen e radhës, duke bërë një kërkesë ekstradimi në SHBA në vitin 2019. Në të njëjtën periudhë, në Britani u ndalua një shqiptar me emrin Sokol Hoxha, por pas verifikimeve nga Interpoli, ai u lirua pas vetëm një jave, pasi rezultoi të ishte një tjetër person, por me të dhëna të ngjashme me të kërkuarin.
Në vitin 2021 hetimet në SHBA u intensifikuan dhe u përqendruan tek shtetasi shqiptar i cili kishte shtegtuar drejt SHBA në vitet 2000. Investigimet i derguan hetuesit tek Sokol Hoxha i vertetë, duke përputhur shenjat e gishtave dhe fotografitë e asaj kohe.
U vërtetua plotësisht se shtatsi me pasaportë false me identitet të ri është Sokol Hoxha, i dënuar me 25 vite burgim në Shqipëri dhe një dënim të përjetshëm kapital në Belgjikë.
Mësohet se më 5 maj në Ohajo, i shumëkërkuari për gati tre dekada është arrestuar dhe autoritetet amerikane po vlerësojnë hapat e mëtejshëm për dorëzimin dhe largimin e këtij të arratisuri në Shqipëri ose Belgjikë. Sokol Hoxha sot është 51 vjeç.










Discussion about this post