Një operacion antidrogë është finalizuar nga policia e Durrësit, pas një hetimi disamujor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Si rezultat i operacionit, policia ekzekutoi masa sigurie ndaj 17 personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Për 13 prej tyre është caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa 4 shtetase janë vendosur në “Arrest në shtëpi”. Një tjetër person është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë kontrolleve të ushtruara shërbimet policore sekuestruan sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri, konkretisht dy pistoleta dhe një armë automatike kallashnikov.
Gjithashtu, u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, automjete dhe telefona celularë që pritet t’i nënshtrohen ekspertizës hetimore.
Nga hetimet paraprake dyshohet se grupi siguronte lëndë narkotike në bashkëpunim dhe më pas i shpërndante ato kryesisht pranë institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe ekspozimin e të miturve ndaj narkotikëve.
Personat e proceduar janë banues në qytetet Durrës, Kavajë dhe Shijak, si dhe në fshatrat e njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj.
Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.










Discussion about this post