Po afron finalja e madhe e UEFA Champions League në “Puskás Aréna” të Budapestit, ku do të përballen Paris Saint-Germain dhe Arsenali, dy skuadra që, sipas statistikave të UEFA-s, kanë qasje krejt të ndryshme ndaj lojës, por me të njëjtin nivel suksesi.
Shumëkush parashikon një finale spektakolare me shumë gola dhe me futboll sulmues, por shifrat e sezonit tregojnë një histori më komplekse. Një detaj interesant është se lojtari që ka vrapuar më shumë në këtë edicion të Championsit është Vitinha, duke treguar se edhe “artistët” shpesh bëhen punëtorë të vërtetë në fushë.
Nga njëra anë është Arsenali, kampion i Premier League-s pas 22 vitesh pritje, i cili ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Angli. Skuadra e Mikel Artetës fitoi 26 nga 38 ndeshje në kampionat dhe përfundoi një garë të fortë deri në fund me Manchester City-n.
Në anën tjetër, PSG vazhdon dominimin në Francë, duke u bërë kampion për të pestin sezon radhazi dhe duke fituar 12 tituj në 15 vitet e fundit. Francezët kanë luajtur më pak ndeshje në kampionat, por kanë një bilanc shumë të ngjashëm me anglezët në aspektin e fitoreve.
Në ofensivë, të dy ekipet janë shumë të rrezikshme. PSG ka shënuar 74 gola në sezonin e kampionatit, ndërsa Arsenali 71, me mesatare përkatësisht 2.18 dhe 1.87 gola për ndeshje. Në Champions League, francezët kanë zhvilluar dy ndeshje më shumë (16 kundrejt 14 të Arsenalit), por kanë qenë dukshëm më produktivë në sulm.
PSG ka realizuar 44 gola në këtë edicion të kompeticionit, ndërsa Arsenali 29, duke konfirmuar fuqinë sulmuese të kampionëve francezë. Megjithatë, kjo ka edhe një anë tjetër: sa më shumë sulmon, aq më shumë rrezikon në mbrojtje.
Arsenali ka pësuar vetëm 6 gola gjatë gjithë turneut dhe ka mbajtur 9 ndeshje pa pësuar, ndërsa PSG ka pësuar 22 gola dhe ka regjistruar 5 ndeshje pa gol të pësuar.
Në fund, statistikat sugjerojnë një përballje mes dy filozofive të ndryshme: sulmi më i fortë i Europës përballë një prej mbrojtjeve më të organizuara të kontinentit. Gjithçka mbetet për t’u vendosur në fushë në finalen e madhe të Budapestit.










Discussion about this post