Në ambientet e Kinemasë Millennium u shfaq mbrëmjen e djeshme premiera e dokumentarit kushtuar ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Robert Ndrenika, një emër që prej dekadash mbetet sinonim i artit të madh dhe interpretimit të jashtëzakonshëm.
Dokumentari, me skenar dhe regji nga Iva Garo dhe Namik Ajazi, si dhe i prodhuar nga Mediavizion, vjen si një rrëfim i ndërtuar në vetën e parë, ku vetë Ndrenika, përmes kujtimeve, reflektimeve dhe emocioneve të tij, udhëheq publikun në një udhëtim të rrallë në jetën dhe karrierën e një prej artistëve më të dashur të shqiptarëve.
Përmes dëshmive të miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve ndër vite, dokumentari sjell jo vetëm madhështinë e artistit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenë dhe ekran, por edhe anën njerëzore të Robert Ndrenikës. Një mesazh që përshkoi të gjithë mbrëmjen ishte se, ndërsa në skenë ai ka qenë një kolos i pakrahasueshëm, në jetën e përditshme ka mbetur gjithmonë një njeri i thjeshtë, i dashur dhe i afërt me të gjithë.
I dekoruar me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”, Robert Ndrenika mbetet një nga figurat më të çmuara të kulturës shqiptare. Por edhe Tirana, qyteti ku ai ndërtoi dhe jetoi një pjesë të madhe të historisë së tij artistike, tregoi se nuk është më pak mirënjohëse. Në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Asambleja e Shoqatës Tirana i akordoi Mirënjohjen e Qytetit të Tiranës.
Mes duartrokitjeve të gjata dhe respektit të sinqertë të të pranishmëve, mbrëmja u kthye në një homazh për një artist që ka ditur të bëjë breza të tërë të qeshin, të lotojnë, të reflektojnë dhe të dashurojnë artin. Një mbrëmje që dëshmoi se emri i Robert Ndrenikës nuk i përket vetëm historisë së teatrit dhe filmit shqiptar, por edhe zemrave të publikut që e ka ndjekur dhe admiruar për më shumë se gjysmë shekulli.
Ky dokumentar nuk është thjesht rrëfimi i një karriere të jashtëzakonshme. Ai është portreti i një njeriu që u bë legjendë pa humbur kurrë thjeshtësinë, dinjitetin dhe fisnikërinë që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij. Për këtë arsye, Robert Ndrenika mbetet jo vetëm një aktor i madh, por një institucion i gjallë i kulturës shqiptare.












Discussion about this post