Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1, “Themeloret”.
Kreu i Shtetit i përcolli Presidentit Costa vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën dhe objektivat që synojnë mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për të gjithë kontinentin.
“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Presidenti Begaj duke falenderuar Presidentin Costa për prioritizimin. e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
Në vijim, Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që institucionet evropiane po i japin Shqipërisë në procesin e integrimit.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë.”, tha ai.









Discussion about this post