Banorët e Baks-Rrjollit në zonën e Velipojës kanë dalë sërish në protestë, pas rrethimit me gardh hekuri, të një trualli ku pritet të ndërtohet një resort turistik. Ata kundërshtojnë vijimin e punimeve, duke pretenduar se toka është pronë e tyre dhe se është përvetësuar në mënyrë të paligjshme.

Prej afro një viti, banorët e zonës kanë ngritur akuza se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka ndryshuar dokumentacionin e pronësisë, duke tjetërsuar certifikatat dhe më pas duke ia kaluar truallin investitorit që po zhvillon projektin për resort në vijën bregdetare të Velipojës.
Situata është tensionuar që prej janarit të këtij viti, kur firma ndërtuese nisi punimet për sistemimin e terrenit me mjete të rënda.
Që atëherë, banorët kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke kundërshtuar prezencën e kompanisë në zonë dhe duke kërkuar ndalimin e punimeve.

Gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes banorëve dhe punonjësve të kompanisë, si dhe me rojet private të angazhuara nga investitori. m Çështja, sipas banorëve, ndodhet edhe në ndjekje nga Prokuroria e Shkodrës, por pavarësisht kësaj, ata thonë se ndërhyrjet në territor nuk janë ndalur.
Paralelisht, prej rreth dy javësh, një pjesë e banorëve janë bërë pjesë edhe e protestave masive në Tiranë, ku pritet t’i bashkohen sërish sot.
“Ne jemi fëmijët e Rrjollit, toka jonë nuk preket”, “Rrjolli është shtëpia jonë, mos na e merrni të ardhmen”, “Ju erdhi fundi hajdutëve”, janë disa nga pankartat që banorët mbajnë në duar teksa protestojnë për pronat e tyre.
Banorët janë përplasur edhe me policinë, të cilët kanë tentuar të ndalojnë qytetarë që donin të hiqnin gardhin metalik me të cilin është rrethuar prej disa ditësh trualli ku do të ndërtohet resorti.
Në kulmin e tensioneve, disa protestues kanë hequr një pjesë të rrethimit metalik me kangjella që ishte vendosur përreth kantierit.
Banorët kanë tentuar gjithashtu të bllokojnë mjetet e rënda të punës, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për t’i larguar nga zona dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.





















Discussion about this post