Ndërsa sezoni turistik ka nisur dhe mushkonjat shtohen, në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) zvarritej një vendim mbi tenderin e dezinsektimit. Analiza e vendimit përfundimtar të datës 5 maj 2026, duket e frymëzuar nga filozofët e lashtë kinezë. Vendimi e gjen të aryseshme të mbështetesë të dy “të vërtetat” që u përkasin dy konkurrentëve në tender.
“Në rastin konkret, Autoriteti Kontraktor ka aplikuar një standard të dyfishtë vlerësimi, nga njëra anë, ka skualifikuar shoqërinë NRG sh.p.k. për mungesë të një elementi formal, konkretisht ‘autorizimin e produktit biocid’ në momentin e hapjes së ofertave. Ndërkohë që, nga ana tjetër, është kualifikuar Egian Med sh.p.k., pavarësisht faktit se produkti i paraqitur prej tij nuk përmbush një kërkesë thelbësore teknike të përcaktuar në Dokumentet Standarde të Tenderit: Konkretisht efikasitetin e provuar dhe të autorizuar ndaj mushkonjave të gjinisë Anopheles. Ky trajtim i diferencuar nuk mund të justifikohet me asnjë argument juridik apo teknik, pasi krijon një situatë ku kërkesat formale zbatohen në mënyrë rigoroze dhe absolute ndaj një operatori, ndërkohë që mangësitë substanciale tolerohen ndaj një operatori tjetër. Një qasje e tillë përbën jo vetëm shkelje të parimit të barazisë, por edhe një devijim të rëndë nga standardi i paanësisë”, theksohet në vendimin e KPP.

Por më poshtë komisioni deklaron: “Edhe nëse pretendimet e parashtruara në ankimin në lidhje me operatorin “Egian Med” SHPK do të pranohen nga KPP, ankimuesi sërish nuk do të ishte fitues i kontratës pasi sipas vendimit të KVO ai rezulton i skualifikuar nga procedura”.
Dhe kështu, me këto kinezërira vazhdon pazari. Ndërsa në terren është arritur në një pikë ku nuk ka rëndësi se kush fiton, por mjaft të eliminohen mushkonjat.

Gjithsesi “Misioni i vrasjes” së mushkonjave këtë vit i është caktuar kompanisë “Egian Med” me pronar Fatos Lashin.

Ky po i merr të gjithë tenderat e dezinsektimit, megjithëse nuk i plotëson kushtet formale të hartuara nga Instituti i Shëndetit Publik.
Bëhet fjalë për kontratën “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane”, ndarë në 5 lote, me fond të përgjithshëm prej 725 milionë lekë pa TVSH ose 751,559 euro pa TVSH.
Disa prej loteve u fituan në Fatos Lashi me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit, disa të tjera me ndihmën e KPP.
Kështu tenderi Loti 2: “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Tiranë” ne Fondin Limit 235 milionë lekë pa TVSH është regjistruar më 13 shkurt 2026.

Në procedurën e mbajtur më 17 mars 2026 morën pjesë katër operatorë ekonomikë, ku dy prej të cilëve nuk ka bërë fare ofertë ekonomike. Pra, pjesëmarrja e tyre është formale sa për të krijuar idenë në letra se aty ka pasur konkurrencë.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerq më të ulët”, këtë klasifikim i bën tenderit Open Data Albania.
Komisioni i tenderit duket se ka zbatuar porosinë që tenderin ta fitojë Fatos Lashi, sepse nuk është interesuar për vlerën e ofertave.

Megjithëse propozimi i “Egian Med” shpk nuk ishte oferta më e ulët, komisioni do ta shpallte fitues më 8 prill 2026.

Në datën 20 shkurt 2026, njëri nga pjesëmarrësit do të kërkonte në KPP modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit objekt ankimi. Kërkesa u hodh poshtë, sepse ISHP e kishte qepur kostumin për Fatos Lashin. Edhe kërkesa e bërë për anulimin e tenderit mori përgjigje negative në 5 maj 2026.
E njëta situatë, në të njëjtën tavolinë dhe në të njëjtën ditë dhe orar, në tenderin “Loti 3: “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Durrës” me fondin limit 113 milionë lekë pa TVSH.

Megjithëse LOERMA prezantoi ofertë shumë më të ultë, nuk u mor në konsideratë, duke ia dhënë tenderin kompanisë “Egian Med” shpk.
Akoma më flagrant është fakti i dhënies së tenderit për Fierin. Në procedurën Loti 4: “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Fier”, kompania e Fatos Lashit ka fituar me ofertën 140 milionë lekë.

Pavarësisht denoncimit në KPP, vendimi në favor të Fatos Lashit nuk ka ndryshuar.
Në mënyrë flagrante shkeljet mbushin procedurën e zhvilluar për pjesën e Shkodrës.

Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin “Loti 1: “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Shkodër” me fond limit 60 milionë lekë pa TVSH. Procedura është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.

Oferta e Fatos Lashit ishte 10 milionë lekë më e shtrenjtë se sa më e ulëta, por komisionit të vlerësimit nuk i bën përshtypje..
Tenderi i dezinsektimit është i përvitshëm dhe është kthyer në aferë korrupsioni, ku paratë e marra për shërbimin nuk përdoren në “luftën kundër mushkonjave”.
Mos-zbatimi i kontratave të dezinfektimit të zonave bregdetare e mjediseve urbane është konstatuar edhe nga KLSH dhe drejtoria e Antikorrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë.
Abuzimet financiare dhe shkeljen e procedurave ligjore të tenderit, i ka konstatuar dhe grupi i KLSH, i cili përveç anulimit të tenderit vitin e kaluar, ka kërkuar edhe largimin nga ISHP të krejt komisionit. Pas skandalit qëndronte Ogerta Manastirliu, që nuk reagonte për denoncimet. Kjo shpjegon pse ka vazhduar gjatë pazari me tenderët e dezinsektimit të bregdetit e zonave urbane të Shqipërisë. Këto tenderë i jepeshin vetëm firmës “NRG Sh.p.k” me 99% të fondit limit.
Përzierja e ish- ministres shpjegon po ashtu që nuk kontrolloheshin abuzimet e financuara me tenderët, nuk dërgohej Inspektoriati Shëndetësor të verifikonte kryerjen e dezinsektimit nga firma “NRG”.
Kujtojmë se edhe në muajin shkurt 2022, Koordinatorja e Njësisë Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, Eliarda Hita, ka raportuar abuzime të rënda me tenderët dhe lidhjet në konflikt interesi në ISHP, mbasi tre shefa të ISHP ishin të punësuar te firma private “NRG sh.p.k”, të cilës i kishin dhënë tenderin e dizinfektimit për vitet 2019-2021.
Aktualisht në krye të ISHP, që është institucion kontraktues për tenderat e dezinsektimit, është Dorina Toçi. Ajo zëvendësoi Eugena Tominin, e cila më 25 shtator 2025 u emërua nga Këshilli i Ministrave zv.ministre e Shëndetësisë.
Toçi më parë mbante pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit të Sëmundjeve Kronike në ISHP dhe të Përgjegjësit të Sektorit në Njësinë e Performancës së Shëndetit Publik.

Në tenderat e dezinsektizimit ka futur duart edhe KPP. Ish-Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Myzyri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në tenderin për spërkatjen e mushkonjave..
Sipas dokumenteve, Myzyri nuk ka zbatuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka dalë mbi gjykatat, duke i dhënë vetës atribute që s’i takojnë në sistemin gjyqësor.

Në dokumente saktësohet se në vitin 2023 është zhvilluar tenderi me disa lote për dezisektimin e zonave urbane dhe bregdetare, duke filluar nga Velipoja për të përfunduar në Ksamil. Kanë qenë disa firma në garë, por shkelje të mëdha janë gjetur në lotet e Fierit dhe Vlorës.
Në Fier ka qenë loti 5 me objekt “shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Fier”, me fond limit rreth 220 mijë euro, zhvilluar në datë 13 qershor 2023 nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara. Në këtë tender kanë marrë pjesë disa firma, ku fitues në APP doli firma “Egian”.
Firmat humbëse e ankimojnë në KPP, e cila vendos të skualifikojë të gjitha firmat që ofruan më pak dhe duka ia dhënë tenderin firmës “NRG”, që ofroi më shumë. Pra dikur ishte NRG e Flutura nuredinit që bënte ligjin, tani është Fatos Lashi. Madje, në vendimin e KPP-së shkruhet se firmat që ofruan më pak u skualifikuan për shkak se falsifikuan disa dokumente!

Në datën 25 korrik 2024, Apeli vendoi që të pranojë padinë dhe të shfuqizojë 2 vendime të KPP-së.
Por, KPP jo vetëm që nuk e zbatoi, por refuzoi kategorikisht që të vepronte!


Ndërkaq, vazhdon pazari për tenderin e dezinsektizimit për Vlorën. Tenderi është shpallur më 13 shkurt 2026 dhe akoma nuk ka njoftim për fituesin.

Kështu ndodh kur korrupsioni eklipson edhe vetë qëllimin e tenderit. Sezoni i turizmit mund të dëmtohet seriozisht nga mushkonjat, por zyrtarët janë nën ethet e parasë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post