Disa prej emrave të përfaqësuesve të protestës u bënë publik për shkak të një letre drejtuar përfaqësive diplomatike në Tiranë, e konsideruar kjo si lëvizja e parë zyrtare e ndërmarrë për këtë protestë.
Një prej aktivisteve, pjesë e grupit organizator, Sidorela Vatkinaj, në një lidhje live në mesin e turmës në protestë, tha se disa prej organizatorëve e kanë firmosur letrën drejtuar ambasadave, si një veprim për tu marrë në mbrojtje për shkak të kërcënimeve apo intimidimeve që ajo pretendon se kanë marrë nga përfshirja në protestë.
“Është firmosur kryesisht nga disa persona të cilët për arsye të sigurisë së tyre fizike kanë dashur që të identifikohen, por kjo nuk lidhet me krijimin e një grupi drejtues apo koordinues. ka qenë vetëm frika e tyre për shkak se kanë marrë kërcënime ata apo fëmijët, familjarët e tyre të ngushtë që i ka bërë t’i drejtohen përfaqësive diplomatike në Tiranë me emrat e tyre personal, por që sigurisht nuk përfaqësojnë një grup të organizuar apo një grup që po koordinon apo po vendos për protestën”, tha ajo.
Vetë Vatnikaj nuk e ka firmosur, duke thënë se “Për mua informacioni që është dhënë selive diplomatike është dhënë nga sheshi. Sigurisht nuk ka asnjë gjë të keqe të drejtohesh me një letër, por nuk e kam parë të arsyeshme”.
Në studio e ftuar ishte dhe aktivistja Etleva Merko, e cila është një prej 13 firmëtarëve të letrës publike. Vetë ajo nuk flet për kërcënime apo intimidime.
“Tani unë jam një nga ato që e ka firmosur dhe unë realisht e kam bërë për të qenë më zyrtarisht një shkresë, mos të mos të mbetej thjesht fjalët që ne flasim vetëm në atë shesh, por të bëj më zyrtare duke shkuar në të gjitha ambasadat dhe sepse normalisht primare për ne është suporti i ndërkombëtarëve dhe duke u bërë diçka zyrtare menduam se shkresa do të ishte më konkrete duke e dërguar në të gjitha institucionet që ë i përkasin ndërkombëtarëve, pra të gjitha ambasadat. Unë personalisht nuk kam marrë asnjë presion. Nuk kam marrë asnjë kërcënim, nuk e di për pjesën absolutisht jo. Nuk e di për pjesën tjetër”, tha Merko.
Kërkesat e qytetarëve fillimisht janë artikuluar nga podiumi i protestës nga Dritan Goxhaj, një mbështetës i regjimit iranian, ndërsa Vatnikaj tha se leximi i pikave drejtuar qeverisë, u takon të gjithëve e nuk ka përzgjedhje apo veçim.
Pikat janë lexuar rastësisht nga aktivistë të ndryshëm ditë pas dite. Ka qëlluar që i kam lexuar unë, i kanë lexuar aktivistë të tjerë, i kanë artikuluar qytetarë që kanë ardhur nga sheshi, janë pesë pika. Jo të dala të kontrolluara nga një grupim, por janë kërkesat e qytetarëve të dala prej katër javësh tani”, tha Vatnikaj.
Pyetjes sesi kjo protestë do të vijojë në rast se Rama refuzon të japë dorëheqjen, Vatnikaj përgjigjet se askush do të largohet nga sheshi deri në realizimin e kerkesave.
Nënshkruesit e letrës në emër të Grupit Koordinues janë:
Entela Koja
Arben Kola
Megan Balaj
Edviol Kulluri
Luçjana Kokaj
Gentjan Progni
Gjon Ndoj
Etleva Merko
Everest Bardhi
Përparim Gjeka
Mevlan Mata
Ilir Xhemalaj
Marjen Rama.
LETRA E PLOTË:
Shkëlqesive Tuaja,
Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore të akredituar në Republikën e Shqipërisë
Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve
Shkëlqesi,
Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi me frymë transparence, përgjegjësie demokratike dhe respekti për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.
Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për shprehje qytetare, të udhëhequr nga një angazhim i thellë për shtetin e së drejtës, qeverisjen demokratike dhe dinjitetin njerëzor.
Në këtë kontekst, Grupi Koordinues i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:
- Dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt ripërtëritjes demokratike.
- Krijimin e një qeverie kalimtare teknike, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
- Reformë tërësore kushtetuese, të mbështetur në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë para ligjit dhe që të miratohet përmes referendumit popullor.
Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:
Reformimin e Kodit Zgjedhor.
Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke kufizuar çdo individ në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë karrierës së tij politike.
- Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:
Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024).
Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.
Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
- Hartimin e një kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, që do të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.
Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës. Me respekt ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.
Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.
Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.
gijotina.com/










Discussion about this post