Protesta që prej 31 ditësh zhvillohet kundër qeverisë u bë pjesë e debateve edhe në seancën plenare të Kuvendit, ku kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, replikoi me homologun socialist, Taulant Balla.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Ballës, Bardhi u shpreh se protestuesit e kanë “hedhur në kosh”, ndërsa akuzoi kreun e grupit socialist për xhelozi ndaj deputetëve të opozitës që, sipas tij, ndodhen mes qytetarëve.
Në fjalën e tij, deputeti demokrat ngriti edhe çështjen e grisë së flamurit izraelit gjatë protestës, duke kërkuar sqarime nga autoritetet për autorësinë e ngjarjes.
“Ke xhelozi që ke përfunduar te koshi i plehrave, ndërsa kolegët deputetë janë mes qytetarëve. Erdhe këtu dhe dënove dhe bëre mirë grisjen e flamurit të Izraeli, dhe mirë bere. Por di gjë se kush e bëri? Kush ishte ajo zonja e maskuar që në sy të policëve grisi flamurin. Ajo u fut brenda institucionit dhe nuk kemi asnjë deklaratë se kush është ky person. Na flisni ju për semitizëm? Po anuloni koncertin e Kany West? E kanë anuluar të tjerët.”, tha Bardhi.
Më tej, ai i kërkoi Ballës të kërkojë falje publikisht veteranëve të UÇK-së për deklaratat e bëra lidhur me Dritan Goxhajn.
“Ti kërkoi falje veteranëve të UÇK-së, për deklaratat për Goxhajn. E dëgjove deklaratën? Presin që të kërkosh falje! Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE.”, tha Bardhi.
Bardhi akuzoi gjithashtu mazhorancën se po shmang debatin për rezolutën e Parlamentit Europian lidhur me procesin e integrimit, duke pretenduar se qeveria nuk dëshiron të përballet me kritikat e adresuara në dokument.
Ai shtoi se vetëm kryeministri Edi Rama, sipas tij, ka interes që ky debat të mos zhvillohet në Kuvend.
“Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE.
Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh. Nëse ai raport siç ua keni shitur çdo shqiptari në mënyrë të gënjeshtërt, si ka mundësi që nuk thoni hajde ta bëjmë debatin. Duhet ta nxisnit ju. Ligji na thotë kur vjen për të raportuar Këshilli i Ministrave për ecurinë e negociatave, Kuvendi bën debat dhe miraton një rezolutë.
Ju refuzoni debatin sepse ua nis raporti i Komisionit Europian me vjedhjen e zgjedhjeve, përdorimin e administratës në zgjedhje, mbrojtjen ndaj korrupsionit me mbrojtjen ndaj ish-zv. kryeministres se thatë nuk ndikon, ja pra që u mbroka. S’mund të mbrohet me votë politike në parlament një person i korruptuar sepse kjo e minon rrugën e Shqipërisë në BE”, tha Bardhi.










Discussion about this post