Avokati Matlija, pas përfundimit të seancës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 19 protestuesve të arrestuar pas protestës para Kuvendit, deklaroi se vendimi i Prokurorisë është bazuar në provat e vëna në dispozicion nga policia, ndërsa theksoi se në vijim të hetimeve masat e sigurisë mund të ndryshojnë për disa prej tyre.
Sipas tij, ndaj të arrestuarve janë ngritur pesë akuza: kundërshtim i punonjësit të policisë (paragrafi 2), prishje e qetësisë publike, shkatërrim prone, pjesëmarrje në tubim të paligjshëm dhe pengim i qarkullimit.
Avokati bëri edhe një koment politik mbi situatën, duke deklaruar se dialogu mes palëve ka përfunduar.
“Ka mbaruar koha për dialog. Rama ka vendosur të jetë arrogant me publikun. Publiku s’ka pse të dialogojë, aq më tepër kur kërkesa kryesore është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.
Matlija tha gjithashtu se gjatë seancës janë evidentuar shenja dhune në trupin e disa prej të arrestuarve.
“Në sallë u vunë re shenja dhune për disa prej tyre, shenja në shpatull, këmbë dhe të nxira në sy. Edhe Genti Progni ka pretendime për dhunë dhe ka kërkuar raport mjeko-ligjor”, deklaroi avokati.
Në një qëndrim personal, Matlija u shpreh se protestat e dhunshme nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe se duhet ndjekur një model tjetër proteste.
“Protestat e dhunshme nuk kanë qenë të suksesshme, ndaj duhet të ndjekim format e suksesshme të protestave. Protesta reale nuk janë vetëm grupet ekstremiste apo ata që janë në shesh në një kohë të caktuar, por edhe ata që kanë qenë të paktën një herë në protestë, që kanë bërë të paktën një postim apo e kanë mbështetur nga ballkoni”.
gijotina.com/










Discussion about this post