Sheshet e kryeqytetit po ziejnë nga një revoltë qytetare që po merr përmasa historike, por një pyetje thelbësore po ndan opinionin publik: a ka ardhur koha për të kaluar nga marshimet paqësore drejt një përshkallëzimi masiv?
Sipas aktivistit Aulon Kalaja, protestat tashmë duhet të përshkallëzohen, dhe për këtë duhen gjetur forma të reja.
Ai shtoi se ekzistojnë dyshime të forta se policia e shtetit ka infiltruar elementë të dhunshëm për të komprometuar qëllimin e vërtetë të qytetarëve, duke e shndërruar veten në një polici thellësisht politike dhe private.
Aulon Kalaja: Mendoj që duhet përshkallëzuar, duhen forma të tjera të protestave. Duhen studiuar të gjitha ato që kanë ndodhur në Francë, protestat e Athinës, të cilat janë manual më vete për t’u studiuar. Kam pasur rastin të marr pjesë para disa kohësh në ato protesta dhe kam parë solidaritetin e të gjithë bizneseve, mënyrën se si mbylleshin të gjithë bizneset, pavarësisht se nuk ishin pro kauzës. Ata kanë ditë të caktuara në Greqi që përkujtojnë dhe vrasjen e djalit 15 vjeçar nga dhuna e policisë, dhe ajo është një këmbanë alarmi se si policia nuk duhet të sillet në raport me qytetarët dhe protestuesit.
Ajo që kam vënë re në protestat e Tiranës, duke marrë pjesë vetë aty, është një masivitet i jashtëzakonshëm. Në fakt mua nuk më bëjnë fare përshtypje njerëzit që flasin aty, e rëndësishme është masiviteti. Se ne mund të kemi folësat më të mirë në botë aty, duke nisur nga Martin Luther King, Ronald Reagan apo personalitete të larta, Ciceron po të duash të shkëlqyer, por imagjinoni sikur mos t’i flasësh një turme aq të madhe aty.
Nga ana tjetër ka njerëz me precedent penal në protestë apo jo? Mendimtarë të mëdhenj, siç Taulant Balla mund të jetë, apo njerëz të tjerë filozofë, dhe nga ana tjetër janë njerëz pa arsim fare. Protesta i përfshin të gjitha, janë grupe të cilat dalin aty për pakënaqësitë e veta, për kauzat e veta e të tjerë e të tjerë. Për këtë arsye nuk duhet goditur, por duhet mbështetur dhe pa diskutim që kjo është një protestë e cila, për mendimin tim, e fut Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Protestë do të thotë perëndim. Kjo protestë dhe ndërgjegjja e lartë e qytetarëve shqiptarë që dinë të çohen, dinë të reagojnë dhe dinë të protestojnë, e rrit edhe një herë tjetër standardin e shqiptarëve të cilët e duan Europën dhe duan ta bëjnë Shqipërinë si Europa. Jo me këto slloganet e këtyre që thonë ‘do plotësojmë kaq kapituj, do bëjmë këtë e të tjerë e të tjerë’.
Por nga ana tjetër, kjo lloj policie jo vetëm që është joprofesionale, por në ditët që është protestuar te parlamenti, ajo ka marrë vetëm urdhra politikë. Nuk ka lidhje fare me zbatimin e ligjit. Të gjitha arrestimet, në gjykimin tim ashtu si i kam ndjekur, janë të paligjshme dhe nuk duhet të ketë fare arrestime. Policia ka keqkuptuar rolin e vet në protestë.
Kështu ka qenë vazhdimisht edhe te protestat e opozitës. Ishte kjo lloj policie që më akuzoi mua personalisht që kisha kundërshtuar forcat e rendit dhe kërkojnë nga 1 deri në 5 vjet burg për mua personalisht tani, për me me djeg edhe karrierën. Jam në prokurori, jam në gjykatë e të tjera e të tjera. Pra, unë mendoj që kjo është një polici politike, private e këtij zotërisë, që nuk ka lidhje fare me menaxhimin e protestës, nuk dinë ta lexojnë ligjin e proporcionalitetit që është shumë i qartë në raport me protesta të tilla, por që të kthehem edhe një herë te thelbi, është që një protestë e tillë e nderon Shqipërinë dhe na e ka rritur neve krenarinë pse jemi shqiptarë. Pra kjo është realisht e vërteta pse jemi krenarë që jemi shqiptarë, kjo lloj proteste, jo stadiumi










Discussion about this post