Eurodeputeti austriak Thomas Waitz ka deklaruar se qeveria shqiptare po injoron kërkesat e Bashkimit Evropian lidhur me ligjin 21/2024. I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Waitz paralajmëroi se kjo sjellje mund të kthehet në një pengesë serioze për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ai theksoi se BE i ka bërë të qartë Tiranës se ligji 21/2024 nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe pengon përmbushjen e kapitullit 27 për mjedisin. Sipas eurodeputetit, Komisioni Evropian i ka kërkuar disa herë qeverisë shqiptare ta rishikojë këtë ligj, por përgjigjet e deritanishme kanë qenë të paqarta dhe vetëm kanë shtyrë zgjidhjen e problemit.
Waitz theksoi se BE-ja bazohet mbi standarde dhe ligje të përbashkëta, të cilat duhet të respektohen edhe nga vendet që synojnë anëtarësimin. Ai paralajmëroi se nëse qeveria shqiptare vazhdon të injorojë shqetësimet e Bashkimit Evropian dhe nuk ndryshon qasje, kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Pjesë nga intervista:
Pyetje Sa i takon qeverisë shqiptare, fakti që ju shohim në shesh do të thotë se diplomatikisht dhe politikisht qeveria shqiptare nuk është treguar e arsyeshme ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian?
Thomas Waitz: Ka pasur ankesa konkrete nga ana e Bashkimit Evropian. E kemi bërë të qartë se ligji 21 i vitit 2024, që ndryshon mbrojtjen e natyrës, nuk është në përputhje me kërkesat për mbylljen e kapitullit 27 për mjedisin. Ky është një hap në drejtim të kundërt me objektivat e negociatave, sepse Bashkimi Evropian ndërtohet mbi standarde dhe ligje të përbashkëta. Komisioni Evropian i ka kërkuar disa herë qeverisë shqiptare ta rishikojë këtë ligj, por përgjigjja e qeverisë ka qenë se “ndoshta e ndryshojmë, ndoshta jo”. Kjo shihet si një përpjekje për të fituar kohë dhe madje si një fyerje.
Pyetje: Cili është parashikimi juaj? Si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe a mund të ndikojë kjo protestë në qëndrimin ndaj qeverisë shqiptare?
Thomas Waitz: Mendoj se qeveria ende ka mundësinë të kuptojë se nuk mund të punojë kundër qytetarëve të saj. Rruga pro-evropiane nënkupton respektimin e shtetit të së drejtës dhe procedurave demokratike. Nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian duhet të vendoset një moratorium për ndërtimet në atë zonë derisa gjithçka të sqarohet. Nëse qeveria vazhdon të reagojë si deri tani, kjo mund të kthehet realisht në një pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.










Discussion about this post