Një organizatë kriminale shqiptare që vepronte në jug të Anversës, në Belgjikë, është dënuar me deri në 6 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Gjykata belge vendosi gjithashtu konfiskimin e më shumë se 3.1 milionë eurove pasuri me origjinë kriminale.
Sipas mediave belge, hetimi ndaj grupit nisi në shkurt të vitit 2024, pasi policia e Anversës mori informacione se një automjet BMW me targa rumune përdorej për trafik droge.
Gjatë kontrollit të makinës u zbulua një furrë me mikrovalë e modifikuar, ku ishin fshehur mbi 2.2 kilogramë kokainë.
Pas këtij zbulimi, autoritetet nisën vëzhgimin e disa lokacioneve në Anversë dhe zonat përreth, ku identifikuan disa persona të dyshuar që transportonin materiale të lidhura me përpunimin e kokainës.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në shtator 2024, policia zbuloi dy laboratorë droge, ku kokaina përpunohej, pastrohej dhe paketohej. Në këto ambiente u sekuestruan rreth 1.400 litra substanca kimike, 10 kilogramë kokainë dhe 23 kilogramë kanabis.
Hetuesit zbuluan gjithashtu pajisje për numërimin e parave, telefona celularë dhe dokumente financiare që tregonin aktivitetin e organizatës. Sipas hetimit, banda kishte trafikuar rreth 191 kilogramë kanabis dhe afërsisht 7 tonë kokainë, me një qarkullim të vlerësuar prej 147 milionë eurosh.
Edhe pse të akuzuarit mohuan përfshirjen në aktivitetin kriminal, gjykata i shpalli fajtorë dhe vendosi dënime nga 40 muaj deri në 6 vite burg.
Dënimin më të rëndë e mori Arbri C., 35 vjeç, i cili u cilësua si një nga drejtuesit e organizatës. Ai u dënua me 6 vite burg dhe 48 mijë euro gjobë.
Ndërsa Arban D., 33 vjeç, u dënua me 5 vite burg dhe 40 mijë euro gjobë për rolin e tij në sigurimin e ambienteve të përdorura nga grupi.










Discussion about this post