Dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar në Durrës gjatë një operacioni ndërkombëtar të policisë, pasi ishin shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për një sërë veprash të rënda penale.
Operacioni i koduar “Fury” u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Durrësit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Për të dy, INTERPOL kishte lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për akuza që lidhen me vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit, policia u ka gjetur të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për t’iu shmangur autoriteteve dhe për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Në vijim të operacionit është arrestuar edhe një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar se u ka siguruar dy personave të kërkuar dokumentet false.
Ai akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka sekuestruar edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni u zhvillua falë bashkëpunimit me partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e SHBA-së në Tiranë dhe Shkup, si dhe me autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post