Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si të papranueshme heshtjen e tij përballë thirrjeve të ministres serbe, Snezhana Paunoviç, për spastrim etnik në Kosovë.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, ku iu përgjigj një interesi lidhur me këtë qëndrim të qeverisë, Berisha e vuri theksin te fakti se deklaratat e ministres së Beogradit kanë shkaktuar një reagim të fortë ndërkombëtar, ndërsa Tirana zyrtare ka zgjedhur të mos prononcohet.
Kryedemokrati Berisha nuk kurseu epitetet ndaj kreut të qeverisë shqiptare, duke e akuzuar se po mbron interesat e Aleksandër Vuçiçit në dëm të atyre kombëtare.
“Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.
Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.
Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata. Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.
Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç’janë këta, ç’përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke. Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda. Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre.”, u shpreh Berisha.









Discussion about this post