Kryeministri Edi Rama ka pranuar se në protestën kundër qeverisë së tij në Bulevard kanë marrë pjesë punonjësit e administratës por dhe socialistët. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se qytetarët që dolën në protestë nuk kishin dalë kundër investimeve të qeverisë apo kundër zhvillimit të vendit, por ishin shprehje e një kërkese për standarde të reja.
Ai tha se mes protestuesve kishte edhe votues, mbështetës e anëtarë të Partisë Socialiste, madje edhe punonjës të administratës publike, të cilët paradite vijonin punën dhe në mbrëmje merrnin pjesë në protesta.
“Ju atje në periferinë e një bashkie nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju, ju që mbushët bulevardit nuk protestuat kundër Shqipërisë që ndërtuam gjatë tre mandateve të para, dhe këtu ndaj jo pak ata votues, mbështetës e anëtarë të PS, por edhe ata që gjatë ditësh ishin në punën e shtetit dhe në mbrëmje shkonin në bulevard, ata nuk dolën për të sulmuar qeverinë apo bashkuar këngës “Rama jepe dorëheqjen”.
Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime. Ata të administratës dolën edhe ata me të tjerët sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna e shtetit pse shkonin në një takim tonin në opozitë,“ tha Rama.
Rama u shpreh se protestuesit para Kryeministrisë janë matësi i ri për standardet e qeverisjes. Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tregoi rastin e një kryebashkiaku socialist, i cili sipas tij ishte ankuar për qytetarët që kishin protestuar për problemet në zonën ku jetonin, pavarësisht investimeve të kryera.
Kryeministri u shpreh se qytetarët që kanë protestuar gjatë muajve të fundit nuk duhen parë si mosmirënjohës, por si një tregues i kërkesave të reja ndaj qeverisjes.
“Po e nis me një episod që mund ta keni dëgjuar qëlloi në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie shok i yni më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem diku në periferi. I kam gjetur në llum tha, nuk kishin rrugë, trotuare, e gropa. I bëra me rrugë me drita, me pemë, u bëra kopsht u vura edhe stola, janë mosmirënjohës. Ai shok dhe koleg jemi ne të gjithë.
Se secili prej nesh e ka menduar qoftë edhe njëherë atë fjalë të keqe kur i ka ardhur shpirti në majë të hundës më marrëdhënie me punën. Ka menduar që janë mosmirënjohës. Kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet. Në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria. Atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje e me zë, kudo, jo vetëm 6 qershorit por qysh pas zgjedhjeve. Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matës i ri i standardeve tona”, tha Rama










Discussion about this post