Edhe pse tregu i punës në Shqipëri vijoi të përmirësohej gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar mbeten jashtë tregut edhe pse janë në kërkim të punës.
Të dhënat e publikuara në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë, ndërsa pesha më e madhe e tyre i përket grup-moshave të reja, duke treguar vështirësitë që hasin të diplomuarit në gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve.
Sipas statistikave, nga 17,800 të papunët me arsim të lartë në kërkim të punës, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 i përkasin grup-moshës 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida më e madhe është hyrjen e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.
Grupi më i madh pas të rinjve është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet shumë më i ulët.
Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë, nga të cilët 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend që duan të punojnë por nuk gjejnë punë.
Fakti që mbi gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç tregon se kalimi nga arsimi i lartë drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.
Një tjetër faktor është mungesa e përvojës, pasi të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.
Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve përballen me pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin, duke mos pranuar punë që nuk lidhen me profesionin apo që ofrojnë paga të ulëta dhe kjo e zgjat periudhën e papunësisë pas diplomimit.
Kryesore mbetet mungesa e lidhjes se arsimit me nevojat e tregut. Praktikat profesionale, orientimi i karrierës dhe bashkëpunimi me kompanitë nuk janë ende të mjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla në punë më të shpejtë./Monitor










Discussion about this post