Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar atë që e cilësoi si një nga aferat më të rënda të qeverisë, duke pretenduar se licenca për kazinonë në kompleksin Air Albania është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në favor të personave që, sipas tij, janë të lidhur me Olsi Ramën.
Berisha deklaron për mediat se bëhet fjalë për një aferë që “tejkalon çdo lloj imagjinate”, ndërsa akuzoi vëllain e kryeministrit Edi Rama për lidhje me aktivitetet e lojërave të fatit dhe bizneset e call-centerave.
Sipas Berishës, objekti i njohur si “kulla e Air Albania” po shoqërohet tashmë edhe me një aktivitet që ai e konsideron të paligjshëm. Ai pretendoi se licenca e kazinosë është dhënë me dokumentacion që, sipas tij, nuk do të ishte pranuar në kushte normale dhe se përfituesit e saj janë “prestanome” të Olsi Ramës.
“Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate.
Por natyrisht jo në narkoshtetin e Edi Ramës, në familjarët e tij, bëmat e tyre.
Tashmë janë bërë të njohura për publikun pasioni i çmendur i Olsi Ramës për lojërat e fatit. Pasioni i tij i çmendur për call-centerat. Pra për ët gjitha mënyrat e plaçkitjes së qytetarëve.
I pangopur!
E vërteta është siç e kam deklaruar dhe siç është faktuar lidhja e tij me grupin e Xibrakës, është një ndër lidhjet më kriminale që mund të ketë njeri.
Sot këtu ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania.
Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa.
Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës.
Ndaj dhe unë u ftoj ju të ndiqni ekspozenë e një investigimi që zoti Belind Këlliçi dhe grupi i ekspertëve tanë kanë bërë për një aferë, thashë edhe njëherë, që tejkalon çdo lloj imagjinate.
Besoj se me dokumente të pakundërshtueshme faktohet implikimi i rrethit të Edi Ramës, vëllait dhe shokëve të tij, në afera bixhozi, larjesh parash, licencimesh që nuk mund të ndodhin kurrë përveçse në familjen kryeministrore në Shqipëri. Nuk mund të lëshohen licencat.
Unë e kam denoncuar me kohë atë, e kam quajtur kulla Kristaq Rama. Nuk ka asnjë përgënjeshtrim të vërtetë, real. Dhe tani, urdhëroni mega-aferën e një mafie të rrezikshme me tentakula nga familja Rama në Miçigan tek venezuelasit, etj, etj.
Sigurisht që dosja do të dorëzohet në SPAK dhe pa dyshim do ketë fatin e Xibrakës ku Olsi Ramës u faktua si eksponent kryesor i grupit të Xibrakës, u faktua se po në këtë kontekst bëri mashtrim publik pasi deklaroi pas denoncimit të zotit Bardhi dhe denoncimeve të mia të dokumenteve të kompjuterit për kalimin e kufirit me makinën e grupit të drogës, deklaroi se e ka përdorur vetëm njëherë, në një kohë kur këtu janë dokumentet e përdorimit të saj shtatë herë.
Dhe sipas të dhënave të tjera, është përdorur 15 herë nga Olsi Rama. Por ky denoncim i sotëm është një kontribut i jashtëzakonshëm që shqiptarët të kuptojnë se me kë kanë të bëjnë, me çfarë klani të rrezikshëm, çfarë familje të rrezikshme kanë në krye të qeverisë.
Urdhëroni pra. Blihet 300 mijë, shitet 26 milionë, përdoret për këto qëllime, përdoret për ato qëllime, gjëra të cilat as në veprat e realizimit fantastik nuk mund të shkruhen sepse shndërrohen në komedi, e humbasin komplet besueshmërinë.
Natyrisht duke përgëzuar zotin Këlliçi dhe gjithë ekipin që është marrë me investigimin e kësaj afere, kryqëzon përfundimisht vëllaçkon e Ramës dhe enturazhin e tij, ne do bëjmë detyrën tonë, ne do ta dërgojmë me këto të dhëna dhe të tjera në organet e prokurorisë speciale,” tha Berisha.










Discussion about this post