Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestë pas propozimit për shkrirjen e bashkisë në kuadër të draftit të ri për ndarjen administrativo-territoriale.
Përmes një reagimi publik, Malaj deklaroi se, pavarësisht kundërshtimeve të paraqitura në dëgjesat zyrtare në Gjirokastër dhe në Kuvendin e Shqipërisë, argumentet e Bashkisë Memaliaj nuk janë marrë në konsideratë.
Sipas tij, mungesa e transparencës dhe e konsultimit me komunitetin cenon interesat e banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave që përbëjnë territorin e bashkisë. Ai theksoi se Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës për nga numri i banorëve dhe sipërfaqja.
Malaj argumentoi se shkrirja e bashkisë do të sillte humbje të identitetit lokal, do të ngadalësonte zhvillimin ekonomik, do të nxiste më tej shpopullimin dhe do të binte ndesh me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Kryebashkiaku vlerësoi gjithashtu se Bashkia Memaliaj ka përmirësuar performancën në vitet e fundit, duke investuar në infrastrukturë, aktivitete kulturore dhe shërbime për qytetarët, ndërsa shtoi se propozimi për shkrirjen e saj është i pajustifikuar.
Në përfundim të reagimit, ai u bëri thirrje banorëve të marrin pjesë në protestën e thirrur në orën 19:00 pranë Urës së Vjetër, në hyrje të qytetit, për të kundërshtuar draftin dhe për të mbrojtur të ardhmen e Bashkisë Memaliaj.
“Ka vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti, por fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë”, u shpreh Malaj.










Discussion about this post