Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka miratuar një projektvendim kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës, në kuadër të reformës së re territoriale.
Pavarësisht bindjeve politike, anëtarët e Këshillit Bashkiak dolën me një qëndrim të përbashkët, duke kundërshtuar planin e propozuar dhe duke theksuar se interesi i qytetarëve duhet të prevalojë mbi çdo ndarje partiake.
Para votimit të projektvendimit, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Desi Gixhari, lexoi deklaratën e përbashkët të këshilltarëve.
“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot, pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të Bashkisë Rrogozhinë. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, është inkurajuese që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike”, u shpreh Gixhari.
Projektvendimi u miratua unanimisht, duke shënuar një tjetër reagim institucional kundër draftit të reformës territoriale që parashikon bashkimin e disa njësive vendore.










Discussion about this post