Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh.
Sipas Bardhit, vendimi i Kreut të Shtetit dëshmon se janë dobësuar mekanizmat kushtetues të kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përqendrimin e pushtetit.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se Presidenti nuk duhet të jetë një “noter” i vendimeve të qeverisë, por garant i Kushtetutës, me detyrimin për të kthyer për rishqyrtim ligjet që, sipas tij, miratohen në shkelje të procedurave kushtetuese.
Deputeti demokrat pretendon se që nga marrja e detyrës, Bajram Begaj ka kthyer vetëm një ligj për rishqyrtim dhe se në raste të tjera ka dekretuar akte që më pas janë konsideruar problematike edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Bardhit, kjo sjellje përbën një dorëzim të rolit kushtetues të Presidentit dhe favorizon përqendrimin e pushtetit në duart e qeverisë.
Ai e cilëson dekretimin e ligjit për huanë 302 milionë dollarëshe si “një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës”, duke shtuar se demokracia dëmtohet kur institucionet heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre kushtetuese.
Në përfundim, Bardhi dënon vendimin e Presidentit Begaj dhe e akuzon atë se po kontribuon në dobësimin e ndarjes së pushteteve dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhi:
“Shpallja nga Presidenti i Republikës, më 30 korrik, e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, pavarësisht shkeljes flagrante të Kushtetutës gjatë procedurës së miratimit të tij, është një provë e qartë se në Shqipëri Edi Rama ka çmontuar çdo mekanizëm kushtetues të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.
Në një shtet demokratik, Presidenti i Republikës nuk është noter i vendimeve të qeverisë. Kushtetuta i ka dhënë atij detyrën të verifikojë nëse ligjet janë miratuar në përputhje me procedurat kushtetuese dhe, kur konstaton shkelje, të ushtrojë kompetencën për t’i kthyer ato për rishqyrtim. Ky është një mekanizëm themelor i kontrollit dhe balancës së pushteteve, jo një formalitet protokollar.
Që nga marrja e detyrës nga Bajram Begaj, ky mekanizëm është bërë praktikisht inekzistent. Me përjashtim të një rasti që prekte interesin e tij personal, Presidenti nuk ka kthyer asnjë ligj për rishqyrtim në Kuvend, edhe kur bëhej fjalë për akte me probleme të rënda kushtetuese, të cilat më pas janë konfirmuar si të tilla nga Gjykata Kushtetuese.
Ky nuk është më ushtrim i funksionit kushtetues të Presidentit. Ky është dorëzim i rolit të Kreut të Shtetit përballë vullnetit të qeverisë. Bajram Begaj ka zgjedhur të jetë noter i akteve të mazhorancës socialiste, në vend që të jetë garant i Kushtetutës dhe mbrojtës i ekuilibrit institucional.
Kur Presidenti heq dorë nga kompetencat e tij, Kuvendi funksionon si zgjatim i qeverisë dhe institucionet e pavarura dobësohen ose nënshtrohen, atëherë pushteti nuk ndahet më, por përqendrohet. Dhe përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm është kërcënimi më i madh për çdo demokraci.
Demokracia nuk rrëzohet gjithmonë me një akt të vetëm. Ajo gërryhet çdo ditë nga heshtja e institucioneve, nga braktisja e detyrimeve kushtetuese dhe nga pranimi i arbitraritetit si mënyrë qeverisjeje.
Akti i Presidentit të Republikës për të shpallur këtë ligj, pavarësisht shkeljes së dukshme të Kushtetutës në procedurën e miratimit, përbën një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës. Ai dëshmon se institucioni që duhet të ishte garancia e fundit e Kushtetutës ka zgjedhur të mos e ushtrojë këtë përgjegjësi.
E dënoj me forcë këtë akt dhe rolin që Presidenti i Republikës po luan në dobësimin e kushtetutshmërisë, të ndarjes së pushteteve dhe të demokracisë në Shqipëri. Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si një pengesë formale përballë abuzimeve me pushtetin”.









Discussion about this post