Policia e Sarandës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, duke finalizuar operacionin e koduar “Silenciatori”, që çoi në arrestimin e pesë personave të dyshuar se po përgatiteshin për të kryer një vrasje.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Dy prej të dyshuarve u kapën në flagrancë në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, ku kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe po qëndronin në pritë në një zonë pa ndriçim.
Në pranga ranë S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, policia u sekuestroi dy pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator.
Në vijim të operacionit u arrestuan edhe tre persona të tjerë: V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë, V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë. Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet paraprake rezulton se grupi kishte udhëtuar drejt Sarandës me qëllim kryerjen e një vrasjeje, ndërsa autoritetet po punojnë për të identifikuar objektivin e dyshuar dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post