Familja e minatorit 40-vjeçar, Ilir Kolaveri, i cili humbi jetën tragjikisht në një galeri kromi në Bulqizë, ndodhet në kushte tejet të vështira ekonomike dhe bën thirrje për ndihmë.
Ilir Kolaveri ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë të mitur, të cilët tashmë gjenden pa asnjë mbështetje të qëndrueshme ekonomike. Të afërmit e tij kanë ngritur alarmin, duke theksuar se kompania nuk është kujtuar më për fatin e tyre pas ngjarjes.
“Iliri ishte burri i motrës sime. Jetojnë në Suç të Matit. Firma ‘Eternal Security’ na ka shpërfillur. Kanë ardhur dhe kanë paguar vetëm shpenzimet mortore, por nuk janë kujtuar më për familjen e të ndjerit. Jemi pa përkrahje. Ka tre fëmijë të mitur, i ka lënë në një situatë shumë të vështirë. Bashkëshortja është pa punë. Kërkojmë ndihmën e shqiptarëve që t’u gjenden pranë me aq sa mundet secili.”, u shpreh kunata e të ndjerit.
Përballë kësaj humbjeje të rëndë dhe braktisjes institucionale e private, familjarët shpresojnë se përmes solidaritetit dhe zemërgjerësisë së qytetarëve, bashkëshortja dhe tre fëmijët e mitur të minatorit të ndjerë do të mund të sigurojnë ndihmën e nevojshme për të përballuar jetesën dhe sfidat e së ardhmes.
Kolaveri humbi jetën në galerinë e kompanisë “Eternal Security”, pasi u godit nga një masiv kromi që u shkëput gjatë procesit të punës në nëntokë. Pas dy ditësh kërkimesh intensive nga ekipet e shpëtimit, trupi i tij i pajetë u nxor nga galeritë, duke lënë pas një dhimbje të madhe dhe një situatë kritike për familjen.
gijotina.com/










Discussion about this post