Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike dhe raportimeve në media për procedurën e prokurimit të tre avionëve për shuarjen e zjarreve.
Institucioni i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta, duke theksuar se tenderi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas Ministrisë, procedura ka qenë konkurruese dhe në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.
Kompania fituese është shpallur fituese pasi ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët.
Ndërsa operatori tjetër është skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore, ekonomike dhe teknike.
Ministria ka hedhur poshtë edhe pretendimet se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.
Sipas saj, kompania Aviation Trade Europe S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që dëshmon mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.
Në reagim thuhet se çështja gjyqësore e përmendur në Spanjë nuk ka marrë ende formë të prerë.
Ajo ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë e Spanjës dhe, për këtë arsye, nuk prodhon efekte juridike që do të justifikonin përjashtimin e kompanisë nga tenderët publikë.
Ministria shton se kompania ka vijuar të lidhë kontrata me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Në përfundim, Ministria e Mbrojtjes thekson se investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për mbrojtjen e jetës, pasurisë dhe mjedisit.
Ajo garanton se procedurat do të zhvillohen gjithmonë në respekt të ligjit dhe interesit publik.









Discussion about this post