6 vende të Bashkimit Evropian po kërkojnë që BE-ja të shqyrtojë vendosjen e një takse të përbashkët mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës dhe energjisë.
Ministrat e Financave të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Polonisë dhe Portugalisë, së bashku me ministrin e Ekonomisë së Spanjës, i kanë dërguar një letër ministrit irlandez të Financave, në kuadër të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, raportojnë mediat e huaja.
Në letër kërkohet që çështja të përfshihet në axhendën e takimit të ardhshëm të ministrave të Financave të BE-së, që pritet të mbahet në Dublin.
Nisma vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar tronditje në tregjet energjetike. Sipas ministrave, kompanitë e naftës po përfitojnë nga rritja e marzheve në sektorin e produkteve të rafinuara, ndërkohë që çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur për shkak të pasigurive në furnizim.
Vendet nënshkruese argumentojnë se një situatë e tillë po rëndon konsumatorët dhe po shton presionin mbi koston e jetesës. Për këtë arsye, ato kërkojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët evropian për taksimin e fitimeve të jashtëzakonshme.
Si precedent përmenden masat e përkohshme të miratuara nga BE-ja në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe krizës energjetike që pasoi.









Discussion about this post