Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për mbylljen e shkollave në Qeparo dhe Piqeras, duke e cilësuar atë si një tjetër hap drejt shpopullimit të fshatrave.
Në postimin e saj në Facebook, Zhupa ngre shqetësimin se nxënësit do të transferohen në shkolla të tjera, ndërsa ende nuk është bërë e qartë se ku dhe në çfarë kushtesh do të vijojë mësimi për ta.
Sipas saj, mbyllja e shkollave nuk është thjesht mbyllja e dy godinave, por heqja e një shërbimi publik thelbësor për komunitetin dhe një politikë që rrezikon t’i detyrojë familjet të largohen nga vendbanimet e tyre.
Reagimi i plotë:
Mbyllja e shkollave është një tjetër hap drejt shpopullimit!
Ministria e Arsimit ka vendosur që, duke nisur nga ky vit i ri mësimor, shkollat në Qeparo dhe Piqeras të mos funksionojnë më. Nxënësit që sot mësojnë aty do të transferohen në shkolla të tjera, por ironikisht ende nuk dihet se ku do të sistemohen konkretisht.
Kjo nuk është thjesht mbyllje e dy godinave. Është një politikë që rrezikon të përshpejtojë shpopullimin e këtyre fshatrave.
Shkolla nuk është thjesht një ndërtesë. Është një shërbim publik, një pikë referimi dhe një kusht për të mbajtur gjallë komunitetin.
Edhe nëse janë pak nxënës, ata kanë të njëjtën të drejtë për arsimim si çdo fëmijë tjetër. Arsimi nuk mund të matet vetëm me numrin e nxënësve dhe koston për nxënës.
Pse mbyllen shkollat pa u garantuar më parë ku, si dhe me çfarë kushtesh do të arsimohen fëmijët?
Pse familjet në Qeparo dhe Piqeras duhet të paguajnë koston e një politike që i detyron të largohen nga vendbanimi i tyre?
A është kjo politikë e bërë enkas nga qeveria në vijim të axhendës së shpopullimit?
Një qeveri që e do territorin e vet nuk mbyll shërbimet publike atje ku ka pak banorë; i mban dhe i forcon pikërisht për t’u dhënë njerëzve arsye të qëndrojnë.










Discussion about this post