“389 të rinj e të reja të këtij kursi kanë tashmë jo vetëm njohuritë profesionale, por janë të përgatitur për realitetin e një prej profesioneve më të vështira dhe më fisnike në shërbim të vendit”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në ceremoninë e zhvilluar në Akademinë e Sigurisë me rastin e përfundimit të kursit për Patrullë e Përgjithshme në Policinë e Shtetit.
Duke iu drejtuar kursantëve, pedagogëve, drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe familjarëve, ministri Lamallari theksoi se ceremonia e përfundimit të formimit policor nuk është thjesht një moment formal, por shënon fillimin e një misioni dhe përgjegjësie të re në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
“Ceremonitë si kjo e sotmja janë rituale që përsëriten vit pas viti dhe në pamje të parë ngjajnë si të njëjta. Të rinj që marrin një certifikatë pas përfundimit të kursit dhe nisin një rrugëtim të ri. Por në të vërtetë nuk janë kurrë të njëjta. Pas çdo ceremonie ka njerëz të rinj, ëndrra të reja, familje që kanë pritur këtë ditë dhe, mbi të gjitha, ka një përgjegjësi të re që i besohet dikujt”, tha Lamallari.
Ai nënvizoi se përgjegjësia merr një kuptim të veçantë kur bëhet fjalë për Policinë e Shtetit, pasi përgatitja nuk lidhet vetëm me përfundimin e një shkollimi apo trajnimi, por me përgatitjen për një mision të vështirë: mbrojtjen e jetës dhe garantimin e zbatimit të ligjit. “Nuk ka nderim më të lartë sesa të punosh për sigurinë e vendit tënd, të mbrosh jetën dhe pronën e njerëzve e t’u gjendesh pranë në ditë të vështira. Uniformën që mbani duhet ta konsideroni besim, përgjegjësi dhe krenari përgjatë gjithë karrierës tuaj në Policinë e Shtetit”, nënvizoi ministri.










Discussion about this post