Michel Platini ka shpërthyer në kritika të ashpra ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë një interviste për “Canal Football Club”.
Legjenda franceze i cilësoi drejtuesit aktualë të futbollit botëror si “burokratë të çmendur” që përfitojnë nga sporti dhe pushteti.
Platini dhe Infantino dikur punuan ngushtë në UEFA, nga viti 2007 deri në 2015, por marrëdhënia mes tyre tashmë është kthyer në armiqësi të hapur.
Ish-presidenti i UEFA-s ka ngritur edhe padi ndaj kreut të FIFA-s, duke e akuzuar për disa shkelje të rënda.
Platini tha se që në kohën kur punonin bashkë kishte vënë re ambicien e Infantinos për pushtet.
“Gjithmonë e kam ditur që i pëlqenin shumë paratë dhe pushteti”, deklaroi ish-kapiteni i Francës.
Fituesi i tri Topave të Artë theksoi se drejtuesit nuk janë “bosët” e vërtetë të futbollit.
“Futbolli është një festë e mrekullueshme dhe ndeshjet janë ato që kanë rëndësi”, u shpreh ai.
“Shefat e vërtetë janë Mbappé, Zidane, Maradona… Të tjerët janë thjesht burokratë që shijojnë lavdinë dhe paratë”, shtoi Platini.
Ai foli edhe për përplasjen e fundit institucionale rreth Infantinos dhe mundësinë që çështja të përfundojë në gjykata.
“Nëse UEFA dëshiron ta rrëzojë Infantinon, kjo do të bëhet përmes gjykatave. Ai duhet të largohet!”, deklaroi Platini.
Megjithatë, francezi e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të rikthehet në drejtimin e futbollit.
“Klubet apo organet drejtuese? Për mua kapitulli është i mbyllur”, përfundoi 70-vjeçari.










Discussion about this post