Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas vdekjes së pacientes shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportimit drejt Tiranës për të marrë trajtim të specializuar.
Në një deklaratë zyrtare, ministria ka shprehur ngushëllimet për familjen e pacientes dhe ka bërë të ditur se ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mënyrës se si është menaxhuar rasti.
Ministria thekson se nëse konstatohen shkelje, mangësi apo parregullsi në trajtimin e pacientes, do të merren masat përkatëse, në përputhje me ligjin.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta. Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e ministries.
Reagimi i MSh vjen pasi familjarët kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të situatës në maternitetin e Pogradecit dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së pacientes.










Discussion about this post