Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien mes familjes së ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Në një reagim të saj, Zhupa deklaron se bashkëshorti i Kumbaros, Aleksandër Furxhi, ka përfituar honorare nga AADF në periudhën kur Mirela Kumbaro mbante postin e Ministres së Kulturës dhe kur u hartua Ligji për Trashëgiminë Kulturore.
“Bashkëshorti i Mirela Kumbaros merrte honorare nga AADF, ndërsa Mirela Kumbaro si ministre i dorëzonte dhe vazhdon t’i dorëzojë AADF pasuri kombëtare dhe institucione publike me koncesion”, shprehet Zhupa.
Deputetja e opozitës ngre pyetjen nëse hartimi i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore është bërë në funksion të interesave të AADF-së, duke kërkuar gjithashtu informacion nëse familja Kumbaro-Furxhi ka përfituar honorare apo përfitime të tjera nga fondacioni që nuk janë deklaruar.
Reagimi i plotë:
A u hartua Ligji për Trashëgiminë Kulturore në interes të AADF-së meqënëse bashkëshorti i ministres Mirela Kumbaro merrte honorare nga i njëjti fondacion?
A ka marr honorare të tjera apo përfitime të tjera të padeklaruara familja Kumbaro-Furxhi nga AADF?
Tashmë është publik fakti që bashkëshorti i Mirela Kumbaros merrte honorare nga AADF, ndërsa Mirela Kumbaro si ministre i dorëzonte dhe vazhdon i dorëzon AADF pasuri kombëtare dhe institucione publike me koncesion. Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja vjedhin shqiptarët!
Gjithmonë e kam denoncuar binomin Mirela Kumbaro–AADF, sepse ka qenë e qartë se punohej për interesin e AADF-së dhe jo për interesin publik dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Një pjesë të këtij historiku mund ta dëgjoni në këtë fjalim në Kuvend.
Zyra Antikorrupsion e PD ka bërë publik një fakt që ngre pikëpyetje të jashtëzakonshme: bashkëshorti i Mirela Kumbaros, Aleksandër Furxhi, rezulton të ketë përfituar honorare nga AADF, në periudhën kur Mirela Kumbaro ishte Ministre e Kulturës dhe kur u hartua Ligji për Trashëgiminë Kulturore.
Një ligj që u bë si kostum me porosi, duke krijuar më pas rrugën për dorëzimin e Butrintit. Sot shqiptarët paguajnë pasojat e një modeli unik dhe të papranueshëm: administrimi me koncesion i një pasurie kombëtare, një pasurie botërore të mbrojtur nga UNESCO.
Ja pse qytetarët protestojnë prej 94 ditësh. Kundër një modeli ku pasuria publike trajtohet si pronë private dhe ligjet shkruhen për të fuqizuar të njëjtët përfitues dhe fitimet ndahen bashkarisht në kurriz të shqiptarëve.










Discussion about this post