Një 45-vjeçar shqiptar është arrestuar në ishullin e Rodosit, në Greqi, në kuadër të një operacioni të autoriteteve greke kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Hetimi ka nisur nga një sasi prej vetëm 35 gramësh kokainë, e zbuluar në portin e Pireut, por gjurmët e hetimit kanë çuar më pas në Rodos, ku autoritetet kanë sekuestruar gati 1 milion euro cash në ambientet e një kompanie imobiliaresh.
Gjithçka nisi më 27 gusht, kur autoritetet arrestuan në Pire një 62-vjeçar grek, i cili kishte mbërritur me traget nga Rodosi. Në valixhen e tij u gjetën 35 gramë kokainë dhe 0.9 gramë kanabis.
Hetimet e mëtejshme çuan autoritetet te një 45-vjeçar shqiptar, i cili punonte në një kompani të pasurive të paluajtshme në Rodos dhe dyshohet nga autoritetet greke se kishte lidhje me dërgimin e lëndës narkotike.
Gjatë operacionit në ambientet e kompanisë, autoritetet sekuestruan 949,658.38 euro cash, për të cilat, sipas hetuesve, nuk u paraqit dokumentacion që justifikonte origjinën apo mbajtjen e tyre.
Në zyrat e kompanisë u gjetën gjithashtu një numër i madh pajisjesh POS, karta bankare, telefona celularë, karta SIM, pajisje elektronike dhe shënime me emra dhe shuma parash.
45-vjeçari shqiptar u arrestua, ndërsa gjatë kontrollit ndaj tij iu sekuestruan edhe 3,750 euro.
Autoritetet greke po hetojnë dyshimet se kompania e pasurive të paluajtshme mund të jetë përdorur si një “fasadë” për pastrimin e parave dhe veprimtari të tjera kriminale.
Dy të arrestuarit janë dërguar pranë Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për trafik droge, pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.










Discussion about this post