Për të 97-ën ditë radhazi, qytetarët pritet të mblidhen sërish sot në Tiranë për të vijuar protestën kundër qeverisë. Qëndresa, e cila ka hyrë tashmë në muajin e katërt, vijon me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkojnë edhe ndryshim të sistemit politik.
Protesta e mbrëmshme shënoi ditën e 96-të të mobilizimit. Qytetarët u mblodhën fillimisht përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan në rrugët e Tiranës, me flamuj kombëtarë dhe flakadanë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e Re” ishin ndër thirrjet e përsëritura gjatë tubimit.
Protesta ka marrë prej kohësh karakter të përditshëm. Ajo nisi si reagim ndaj projektit të Zvërnecit, por me kalimin e javëve kërkesat u zgjeruan dhe lëvizja u pozicionua kundër qeverisë dhe klasës së vjetër politike. Në protestat e mëparshme janë artikuluar njëkohësisht thirrje kundër Ramës dhe Berishës, si dhe kërkesa për një sistem të ri politik.
Ditët e fundit klima është tensionuar. Protesta e 1 shtatorit u shoqërua me përplasje me Policinë dhe shoqërime, duke bërë që dje dhe pardje qytetarët të marshojnë drejt Bllokut të Sigurisë, duke kërkuar lirimin e personave të arrestuar. “Nuk jeni vetëm” dhe “Lironi çunat, lironi gocat” ishin thirrjet që shoqëruan marshimin.
Edhe mbrëmjen e djeshme protestuesit përsëritën se nuk kanë ndërmend ta ndërpresin qëndresën dhe se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Në shesh kanë marrë fjalën gjatë këtyre ditëve qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të medias, të cilët kanë ngritur çështje që shkojnë nga korrupsioni dhe kostot e jetesës te arsimi, shëndetësia dhe mënyra e funksionimit të institucioneve.
Gazetari Osman Stafa e lidhi protestën me pakënaqësinë sociale dhe kërkoi vijimin e rezistencës, ndërsa denoncoi edhe arrestimet e protestuesve.
Kritika ndaj qeverisë pati edhe nga aktivisti Tomi Progni, i cili e akuzoi ekzekutivin se është më i fokusuar te komunikimi dhe rrjetet sociale sesa te problemet e qytetarëve.
Pavarësisht se protesta ka hyrë në ditën e 97-të, organizatorët dhe pjesëmarrësit nuk kanë dhënë sinjale tërheqjeje. Përkundrazi, slogani “Nesër më shumë” është përdorur vazhdimisht si mesazh për vijimin e tubimeve.










Discussion about this post